Dy të vdekur nga zjarret që kanë përfshirë Kosovën dhe mbi 320 raste
D

Dy të vdekur nga zjarret që kanë përfshirë Kosovën dhe mbi 320 raste

Dy persona kanë humbur jetën një zjarrfikës nga Gjakova dhe një qytetar nga komuna e Klinës ndërsa dy zjarrfikës të tjerë janë lënduar si pasojë e zjarreve që po përfshijnë Kosovën. Derisa, janë regjistruar me mbi 320 raste zjarresh vetëm gjatë javës së fundit, që kanë përfshirë zona malore, fushore dhe objekte në të gjitha komunat.

Autoritetet po paralajmërojnë rrezik serioz nëse nuk merren masa urgjente dhe nuk rritet ndërgjegjësimi qytetar, raporton AutoPortali.

Këto të dhëna u bënë publike në një konferencë të përbashkët për media të Agjencisë për Menaxhim të Emergjencave dhe Policisë së Kosovës, ku drejtuesit e institucioneve paralajmëruan për rrezik serioz nëse nuk rritet ndërgjegjësimi qytetar dhe nuk ndërmerren masa të menjëhershme.

“Vendi është duke u përballur me një situatë të vështirë. Janë paraqitur zjarre malore, fushore dhe në objekte në tërë vendin. Vetëm në javën e fundit janë raportuar mbi 320 raste zjarresh. Aktualisht janë shtatë zjarre aktive dhe ekipet janë në terren. Kemi humbje jete dhe kjo duhet të na alarmojë të gjithëve. Sfidë e madhe mbetet vetëdijesimi i qytetarëve”, deklaroi Genc Metaj, Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë për Menaxhim të Emergjencave.

Ndërkohë, Policia e Kosovës po angazhohet për të parandaluar zjarrvëniet e qëllimshme dhe për të ndjekur penalisht përgjegjësit. Drejtori i përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, tha se janë ndërmarrë një varg aktivitetesh hetimore dhe operative.

“Sipas të dhënave që kemi, prej fillimit të sezonit deri tani janë raportuar gjithsej 183 zjarre, prej të cilave 54 janë klasifikuar si zjarrvënie të qëllimshme. Janë arrestuar 9 persona dhe janë iniciuar 65 raste penale. Po punojmë për ta menaxhuar këtë situatë dhe për ta mbajtur nën kontroll”, tha Hoxha.

Zyrtarët kanë bërë thirrje për kujdes maksimal, veçanërisht në zonat pyjore dhe bujqësore, si dhe për bashkëpunim të qytetarëve me autoritetet, në mënyrë që të shmangen tragjedi të tjera. /AutoPortali

TË FUNDIT