Barcelona ka konfirmuar se ndeshja e shumëpritur ndaj Paris Saint-Germain, në kuadër të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve, do të zhvillohet në stadiumin olimpik Lluis Companys.
Kjo do të jetë sfida e dytë për katalanasit në këtë fazë të garës evropiane dhe do të luhet më 1 tetor, në orën 21:00.
Për shkak të punimeve të vazhdueshme në Spotify Camp Nou, Barcelona ka qenë e detyruar të luajë ndeshjet si vendas në një impiant alternativ, transmeton AutoPortali.
Pas spekulimeve dhe diskutimeve të shumta, klubi katalanas ka dalë me njoftim zyrtar për vendin ku do të zhvillohet përballja ndaj kampionëve në fuqi të Evropës.
“FC Barcelona njofton se ndeshja e dytë e fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve, të mërkurën, më 1 tetor, në orën 21:00, kundër Paris Saint-Germain, do të luhet në stadiumin olimpik Lluis Companys,” thuhet në deklaratën e klubit.
Barcelona gjithashtu bëri të ditur se puna për rikonstruksionin e Spotify Camp Nou po vazhdon me intensitet, ndërsa po bëhen përpjekje për të marrë lejet për hapjen e pjesës së parë të stadiumit brenda muajve në vijim.
“Klubi vazhdon të punojë intensivisht për të marrë lejet e nevojshme administrative për hapjen e Spotify Camp Nou në muajt në vijim,” thuhet më tej në njoftim.
Përmes komunikatës zyrtare, Barça shprehu mirënjohje për tifozët dhe anëtarët e klubit, të cilët kanë treguar durim dhe mbështetje gjatë kësaj periudhe të tranzicionit.
“FC Barcelona dëshiron të falënderojë anëtarët dhe tifozët e saj për mirëkuptimin dhe mbështetjen e tyre gjatë gjithë një procesi kaq kompleks dhe emocionues siç është rikthimi në Spotify Camp Nou të ri.”
Stadiumi olimpik Lluis Companys, i ndodhur në kodrat e Montjuïc, ka shërbyer si shtëpia e përkohshme e Barcelonës që nga fillimi i sezonit 2023/24, ndërsa projekti i madh i rinovimit të stadiumit legjendar pritet të përfundojë në vitin 2026.