Piloti i Ferrarit dhe kampioni i shtatëfishtë në Formula 1, Lewis Hamilton, ka dalë personalisht në mbështetje të popullsisë së Gazës, duke kërkuar ndërgjegjësim dhe ndihmë për njerëzit që përballen me një krizë humanitare të rëndë.
Hamilton njoftoi përmes një InstaStory në Instagram, ku ka mbi 40 milionë ndjekës, se ka dhuruar fonde për tri organizata humanitare që punojnë pa u lodhur për të ndihmuar ata që kanë nevojë.
“Është e vështirë të ndihesh i pafuqishëm përballë një tragjedie kaq të madhe, por nuk mund të rrimë pa bërë asgjë,” shkroi britaniku.
“Ka disa organizata të jashtëzakonshme që po bëjnë një punë të mrekullueshme për të ndihmuar popullin palestinez dhe kanë nevojë për fonde për të vazhduar këtë punë”.
Hamilton theksoi se situata në Gaza po përkeqësohet dita-ditës: “Në dy vitet e fundit, mbi 10% e popullsisë është vrarë ose plagosur, përfshirë dhjetëra mijëra fëmijë, dhe ky numër vazhdon të rritet. Sulmi i fundit ka detyruar qindra mijëra njerëz të braktisin shtëpitë e tyre, ndërsa spitalet në të gjithë Rripin janë të mbushur me të plagosur dhe njerëz që vuajnë nga uria, për shkak të bombardimeve që duket se nuk kanë fund”.
Piloti britanik gjithashtu përmendi raportin e fundit të Kombeve të Bashkuara, që përshkruan situatën në Gaza si një gjenocid.
“Si qenie njerëzore, nuk mund të rrimë thjesht të shikojmë dhe të lejojmë që kjo të vazhdojë”, përfundoi Hamilton.
Reagimi i tij ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, duke nxjerrë në pah rëndësinë e solidaritetit dhe ndihmës për popullin palestinez në një nga krizat më të rënda humanitare të kohëve të fundit