Francesco Bagnaia ka pranuar se ka përdorur elementë të vjetër në motorin e tij gjatë testimeve në Misano, gjë që solli një përmirësim të ndjeshëm dhe fitoren në Çmimin e Madh të Japonisë. Megjithatë, ai nuk konfirmoi e as mohoi zërat se kishte testuar motorin Ducati GP24 të Franco Morbidelli-t të ekipit VR46.
“Në testin e Misano-s provuam gjëra që më kanë dhënë besim më parë. Nuk po e konfirmoj atë që po thoni, por po, përdorëm disa pjesë që kemi përdorur në të kaluarën”, tha Bagnaia.
Pas vështirësive me motorin aktual GP25, është përfolur se Ducati i ka lejuar të përdorë një kornizë të GP24 për të rikthyer ndjesinë e kontrollit.
Ai tregoi se për këtë fundjavë në Mandalika, nuk do të bëjë ndryshime në motor deri të shtunën, duke synuar të përshtatet me pistën në vend që të modifikojë pajisjet.
“Tani ndihem mirë me paketën që kam. Do të përdor të njëjtin motor si në Motegi dhe do të përshtatem me pistën. Kjo qasje është më e mirë për mua”.
Bagnaia përfundoi me besim, duke thënë: “E kam ditur gjithmonë potencialin tim. Më duhej vetëm të prisja testin e Misano-s për të gjetur ndjesinë time të zakonshme. Dhe që nga ai moment, mund të garoj sërish në mënyrën time”.



