Marquez më i lodhur e më i kënaqur se kurrë
M

Marquez më i lodhur e më i kënaqur se kurrë

Marc Marquez mbërriti në Çmimin e Madh të Indonezisë në Moto GP dukshëm i rraskapitur. Pas sigurimit të titullit në Japoni dhe festimeve që pasuan, ai zhvilloi disa aktivitete në Xhakartë, përpara se të udhëtonte në Lombok.

Tashmë, me pesë gara të mbetura në sezonin 2025, Marquez po përpiqet të mos e rëndojë më tej veten me presion.

“Jam më i lodhur se kurrë. Energjia ka rënë vazhdimisht. Mendoj se kur arrin objektivin kryesor, adrenalina bie, por do të shohim nëse gjatë fundjavës mund ta rikuperojmë. Është e vërtetë që do të doja pak pushim, por kjo është jeta. Nesër (sot) ngjitemi sërish në motor dhe do të shohim. Megjithatë, ishte një javë e bukur”, ka thënë Marquez.

“Në të kaluarën, kur fitoja dhe kishin mbetur disa gara, i thosha vetes: ‘Dua të sulmoj dhe t’i fitoj të gjitha’. Por tani, pas gjithë atij presioni gjatë sezonit, dua vetëm të kënaqem. Do të jap maksimumin dhe mbi të gjitha, qëllimi kryesor është të mos bëj gabime të kota. Sepse kur e arrin objektivin madhor, adrenalina bie dhe ndonjëherë humbet përqendrimin. Le të shohim nëse do ia dalim”, ka shtuar piloti spanjoll.

 

“Para së gjithash, vijmë në një pistë ku nuk kam përfunduar kurrë një garë, ndaj ai është objektivi i parë. I dyti është të shijoj këto pesë gara pa presion. Kam kaluar shumë presion në sezonet e fundit. Do të vijë koha për të rikthyer ambicien time në 2026-ën. Tani, mentaliteti im është ky. Do të shohim si do ndjehem kur të ngjitem sërish në motor”, ka shtuar Marquez.

Ai ka folur edhe për bilancin e tij të deritashëm.

“Sa fitore janë? Kam 11, dhe më duhen 13? Po, mundet. Do të shohim, por është e mundur, sidomos kur mendoj për ‘Phillip Island’ dhe Valencian. Por më parë kemi pista si Mandalika, Malajzia dhe Portimao, që nuk janë më të mirat për mua, megjithatë mund të mbrohem. Siç thashë, nuk dua t’i vendos vetes presion të panevojshëm”.

TË FUNDIT