Përse nuk u aktivizua Zhegrova mbrëmë, Tudor: Unë zgjedh më të fortët dhe ata që mund të na sjellin rezultat
P

Përse nuk u aktivizua Zhegrova mbrëmë, Tudor: Unë zgjedh më të fortët dhe ata që mund të na sjellin rezultat

Mbrëmë në “Allianz Stadium” të Torinos u zhvillua një ndër përballjet më të pritura të Serie A, derbi mes Juventusit dhe Milanit, i cili përfundoi me barazim 0-0.

Ndeshja ishte e luftuar dhe taktike, por pa gola, duke lënë të ndarë nga një pikë dy prej ekipeve më të mëdha italiane.

Megjithëse kishte pritshmëri që mund të shihnim disa ndryshime në formacion, Edon Zhegrova, anësori i Përfaqësueses së Kosovës, mbeti sërish jashtë fushës, pa marrë minuta në këtë përballje.

Kjo ka ngritur pikëpyetje në media dhe te tifozët, duke pasur parasysh potencialin dhe cilësitë teknike të Zhegrovës.

Në konferencën pas ndeshjes, trajneri i Juventusit, Igor Tudor, u pyet drejtpërdrejt për vendimin e tij për të mos e aktivizuar Zhegrovën. Por përgjigjja e trajnerit kroat ishte e prerë dhe e ashpër.

“Unë zgjedh më të fortët dhe ata që mund të na sjellin rezultat”, deklaroi shkurtimisht Tudor, pa dhënë shpjegime të mëtejshme.

Deklarata e tij u interpretua nga shumë si një sinjal i qartë se Zhegrova ende nuk ka bindur trajnerin për një vend titullari, ose së paku për të qenë pjesë e rotacionit në ndeshje të rëndësishme si kjo ndaj Milanit.

Ndërkohë, Juventusi ndodhet aktualisht në pozitën e 5-të në tabelë me 12 pikë, duke qenë i pamposhtur deri tani në kampionat, ndërsa Milani vazhdon të mbetet pjesë e garës për kreun e renditjes.

Tifozët kosovarë dhe ndjekësit e Serie A do të presin me interes nëse Edon Zhegrova do të ketë më shumë hapësira në javët e ardhshme, apo nëse situata e tij do të ndikojë në të ardhmen e tij te klubi italian.

 

TË FUNDIT