Piloti i Aprilia-s, Jorge Martin, do të përpiqet të përshpejtojë rikuperimin nga fraktura e klavikulës në Austri, ku do të kalojë disa ditë në qendrën e sportistëve të Red Bull-it, në Salzburg.
Kjo qendër është e dedikuar për sportistët që sponsorizohen nga kompania austriake e pijeve energjike.
Martin pësoi një thyerje të dyfishtë të klavikulës gjatë një rrëzimi në sprintin e Çmimit të Madh të Japonisë, para 10 ditësh, dhe pritet të mungojë të paktën edhe dy javë të tjera. Kampioni i vitit të kaluar e humbi garën e fundjavës së kaluar në Indonezi dhe gjithashtu nuk do të marrë pjesë në garën e ardhshme në Australi.
Kur mund të rikthehet?
Shansi i parë real për rikthim është Çmimi i Madh i Malajzisë, që zhvillohet nga 24 deri më 26 tetor në pistën e Sepangut. Nëse nuk arrin të rikthehet as atje, spanjolli pritet të jetë gati për dy garat e fundit të sezonit, në Portugali dhe Valencia.
Deri atëherë, Aprilia pritet ta zëvendësojë me pilotin testues Lorenzo Savadori, siç ka ndodhur edhe më herët gjatë këtij sezoni.
Kampionati i MotoGP-së vazhdon me Çmimin e Madh të Australisë, në pistën “Phillip Island”, nga 17 deri më 19 tetor.



