Marc-André ter Stegen pritet të marrë lejen mjekësore për ndeshjen e fundjavës kundër Osasunës, duke shënuar rikthimin e tij pas një periudhe të gjatë mungese për shkak të problemeve në shpinë.
Megjithatë, sapo po afrohet afati kalimtar i janarit, rriten ndjeshëm zërat për të ardhmen e gjermanit te Barcelona.
Pavarësisht se është një nga kapitenët e skuadrës, pozita e tij në hierarkinë e portierëve nuk është më e sigurt.
Joan Garcia ka marrë vendin e titullarit dhe po impresionon me paraqitjet e tij, duke fituar respektin e stafit teknik dhe tifozëve.
Në këtë situatë, nuk duket se Ter Stegen do ta rimarrë lehtësisht rolin e parë.
Sipas Sport Bild, në klub madje po diskutohet edhe një tjetër alternativë.
Wojciech Szczesny shihet si opsion serioz nëse situata me Ter Stegen nuk qartësohet, gjë që e vë gjermanin potencialisht edhe jashtë vendit të dytë në renditje.
Me afrimin e Kupës së Botës 2026, Ter Stegen ka nevojë të luajë rregullisht për të ruajtur vendin te kombëtarja e Gjermanisë, ku konkurrenca është e fortë dhe trajneri Julian Nagelsmann kërkon formë të lartë nga lojtarët që seleksionon.
Mungesa e minutave mund ta shtyjë gardianin të kërkojë një largim të mundshëm në janar.
Pas operacionit në shpinë, forma e tij ende mbetet enigmatike. Pikërisht për këtë arsye, klubet e interesuara po mendojnë më shumë për një huazim sesa për një transferim të plotë, duke qenë se Ter Stegen ka munguar gjatë dhe ende nuk është në 100%.
Ter Stegen ka deklaruar se dëshiron të fokusohet vetëm te fusha dhe të rikthejë versionin më të mirë të vetes, por në fund, vendimi për minutat i takon trajnerit Hansi Flick.
Nëse Garcia vijon me këtë nivel, sfida për rikthimin në formacionin bazë do të jetë më e vështirë se kurrë.
Joan Garcia, i cili iu bashkua klubit për 30 milionë euro, konsiderohet tashmë një nga blerjet më të qëlluara të Barcelonës dhe një garanci për portën në të ardhmen.
Në këtë panoramë të pasigurt, e ardhmja e Ter Stegen te Barcelona mbetet një nga temat më të nxehta të merkatos së janarit – më e paqartë se kurrë më parë.



