Ylli i Bayern Munichut, Jamal Musiala, është rikthyer në stërvitje pas një mungese të gjatë për shkak të lëndimit.
Klubi bavarez ka konfirmuar të martën rikthimin e mesfushorit ofensiv përmes një videoje të publikuar në faqen zyrtare.
“Gjërat që na pëlqen t’i shohim. Jamal Musiala është kthyer në stërvitje”, shkruhet në postimin e Bayern Munichut.
Musiala kishte qenë jashtë fushave për më shumë se pesë muaj, pas lëndimit të rëndë të pësuar më 5 korrik në çerekfinalen e Kupës së Botës për Klube ndaj Paris Saint-Germain.
Gjatë një përplasjeje me portierin Gianluigi Donnarumma, 22-vjeçari theu kockën e fibulës dhe pësoi gjithashtu dëmtim në nyje.
Sipas parashikimeve, Musiala mund të jetë gati për t’u rikthyer në ndeshje zyrtare në fillim të vitit të ardhshëm.
Deri tani, ai ka munguar në 24 ndeshje të Bayern Munichut në të gjitha garat.
Mesfushori konsiderohet një nga lojtarët kyç të skuadrës bavareze, si dhe një figurë shumë e rëndësishme për përfaqësuesen e Gjermanisë. /AutoPortali



