Arjeta Rysha spektakolare, kampione në dy disiplina  
A

Arjeta Rysha spektakolare, kampione në dy disiplina  

Në aspektin sportiv, Arjeta Rysha nuk mund ta kishte imagjinuar vitin 2025 më mirë sesa që doli të ishte në të vërtetë.

Arjeta, e cila tash e sa vjet po thyen tabu pas tabuje në auto sportin kosovar, sivjet ishte e shkëlqyeshme, duke e mbyllur vitin si kampione në dy disiplina, auto sllallom dhe auto sllallom me vetura elektrike.

“Në vitin 2025 arrita sukses të jashtëzakonshëm, duke u kurorëzuar kampione në dy disiplina: E-auto sllallom dhe auto sllallom. Ky rezultat i madh erdhi falë përkushtimit maksimal, përgatitjes profesionale dhe pasionit të vazhdueshëm për auto sportin”, tha fillimisht anëtarja e AK Ferizajt.

Pavarësisht obligimeve të shumta në jetën e përditshme, Rysha e përballoi me sukses edhe agjendën e ngjeshur të garave, konkurrencën dhe presionin e garave.

“Secila garë ishte një sfidë e rëndësishme për mua, por të cilat i përballova me sukses. Të triumfosh në dy disiplina të ndryshme brenda të njëjtit vit është dëshmi e aftësive të gjithanshme, disiplinës dhe nivelit të lartë konkurrues. Ky titull kampione për  vitin 2025 nuk është vetëm një fitore, por një moment krenarie dhe një motivim i fortë për suksese edhe më të mëdha në të ardhmen”, ka shtuar Arjeta.

Suksesi i saj është më i veçantë në auto sllallom, duke marrë parasysh se në këtë disiplinë garojnë bashkë të dyja konkurrencat, femrat dhe meshkujt.

Përveç kësaj, Arjeta edhe sivjet pati paraqitje shumë të mira edhe në disiplinën malore, duke përfunduar si nënkampione në Klasën 4, ndonëse ishte e vetmja femër.

Për të gjitha këto suksese, ajo e falënderon bashkëshortin e saj, Sadat Rysha, për përkrahjen e madhe që i jep.

TË FUNDIT