Ferrari lë plotësisht pas njëvendëshen “SF-25”, makinën me të cilën as Charles Leclerc dhe as Lewis Hamilton nuk arritën të fitojnë gara (me përjashtim të Sprintit të Kinës nga britaniku).
Skuadra italiane shpreson të rikthehet mes ekipeve të forta dhe dominuese, të paktën për të rifituar një pjesë të prestigjit që historikisht i takon në F1. Sipas analizës teknike nga Rosario Juliana, njëvendëshja e Ferrarit për sezonin 2026 “do të ketë pak ose aspak të përbashkëta” me paraardhësen e saj, pasi “ekipi synon të korrigjojë gabimet e makinës së vitit 2025”.
Eksperti sqaron se problemet kryesore ishin të përqendruara në pjesën e pasme të makinës. “SF-25” ishte “projektuar qëllimisht me më shumë ngarkesë aerodinamike në pjesën e përparme për t’iu përshtatur stilit të drejtimit të Leclercut”, shpjegon ai. Ndërkohë, Hamilton, stili i të cilit vuan nga një pjesë e pasme e paqëndrueshme, ndryshe nga ai i monegaskut, e përjetoi si një torturë sezonin e tij të parë me Ferrarin. Britaniku përfundoi i dëshpëruar, u eliminua tri herë në Q1 dhe mezi priste mbylljen e vitit në Abu Dabi.

Ferrari modifikoi pezullimin e pasmë në Çmimin e Madh të Belgjikës (në gusht, edhe pse ishte planifikuar për qershor), “çka solli disa përmirësime në stabilitet, por pa një rritje të ndjeshme të performancës krahasuar me rivalët”, thekson Juliana.
Skuadra hoqi dorë nga planet për të prezantuar një dysheme të re rreth muajit shtator, pasi u fokusua plotësisht te projekti i vitit 2026. Çdo element u rishikua dhe u braktis nëse nuk shërbente për ndryshimin e madh të rregullores.



