Nuk ka qetësi te Napoli, edhe pse skuadra arriti të sigurojë një fitore minimale 1-0 ndaj Sassuolos.
Tri pikët e fituara në kampionat kanë ardhur me kosto, pasi lista e gjatë e dëmtimeve në ekip vazhdon të zgjatet, me Matteo Politano dhe Amir Rrahmanin që i janë shtuar listës së lojtarëve të lënduar.
Për mbrojtësin kosovar, kjo përbën një tjetër pengesë të rëndësishme, duke pasur parasysh se ai kishte munguar edhe në gjysmën e parë të sezonit, periudhë gjatë së cilës humbi tetë ndeshje për shkak të problemeve fizike.
Klubi napolitan ka dalë me një komunikatë zyrtare, ku ka bërë të ditur se dy futbollistët kanë kryer ekzaminime mjekësore pas ndeshjes ndaj Sassuolos.
“Pas lëndimeve të pësuara në ndeshjen kundër Sassuolos, Matteo Politano dhe Amir Rrahmani iu nënshtruan testeve mjekësore në spitalin ‘Pineta Grande’. Politano ka pësuar një tërheqje muskulore të semimembranosusit në kofshën e djathtë, ndërsa Rrahmani ka pësuar një tërheqje muskulore në gluteus maximus të majtë. Lojtarët e Napolit kanë filluar tashmë procesin e rehabilitimit”, thuhet në njoftimin e klubit.
Sipas vlerësimeve të para të stafit mjekësor, Amir Rrahmani pritet të jetë jashtë fushave për rreth dy javë, ndërsa Matteo Politano do të mungojë afërsisht një muaj, duke krijuar vështirësi shtesë për Napolin në vazhdim të garave.



