Champions League rikthehet sonte (e martë) me emocione të mëdha, teksa janë në program nëntë ndeshje në kuadër të xhiros së shtatë të fazës së ligës, të cilat pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në fatin e skuadrave për vazhdimësinë e garës.
Pas më shumë se një muaji pauzë, kompeticioni më prestigjioz evropian për klube rikthehet me duele interesante dhe vendimtare, ku ekipet synojnë ose sigurimin e kualifikimit të drejtpërdrejtë, ose mbetjen në zonën e “play-off”-it, ndërsa disa rrezikojnë eliminimin.
Vëmendja kryesore e mbrëmjes do të jetë e përqendruar në përballjen mes Interit dhe Arsenalit, e cila zhvillohet në stadiumin “Giuseppe Meazza” me fillim nga ora 21:00.
Zikaltrit kërkojnë patjetër fitore për të qëndruar brenda tetë pozicioneve të para dhe për të hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit, ndërkohë që londinezët janë në pozitë më komode, pasi edhe një barazim do t’u mjaftonte për të siguruar kalimin tutje, duke pasur gjashtë fitore nga gjashtë ndeshje.
Në takimet e tjera, Real Madridi do të kërkojë pikët e plota ndaj Monacos për të mbetur në zonën e tetësheve, ndërsa Manchester City udhëton drejt Norvegjisë për t’u përballur me Bodo/Glimt. Paris Saint-Germain, nga ana tjetër, do të ketë një transfertë të vështirë ndaj Sporting Lisbonës.
Një duel tjetër interesant është ai mes Tottenhamit dhe Borussia Dortmundit, ku të dyja skuadrat synojnë fitoren për të rritur gjasat e tyre për t’u futur në tetë pozitat e para.
Napoli do të jetë nën presion në udhëtimin te Copenhagen, pasi çdo gabim mund ta rrezikojë seriozisht qëndrimin në zonën e “play-off”-it.
Në tri ndeshjet e tjera të mbrëmjes, Bayer Leverkusen luan në transfertë ndaj Olympiacosit, Kairat Almaty pret në shtëpi Club Brugge, ndërsa Villarreal do të jetë nikoqir i Ajaxit në një përballje gjithashtu me peshë për renditjen finale. /AutoPortali



