UEFA ka nisur procedurat zyrtare pas incidentit të ndodhur të martën mbrëma në përballjen e UEFA Champions League mes Benfica dhe Real Madrid CF, ku u raportuan dyshime për fyerje raciste gjatë ndeshjes.
Sipas raportimit të Sky Sports, organi drejtues i futbollit evropian ka reaguar ndaj ngjarjeve të ndodhura në stadiumin “Estádio da Luz”, duke konfirmuar se ka nisur hetimet për rastin. Incidenti përfshin pretendimet e sulmuesit brazilian Vinícius Júnior, i cili ka raportuar te gjyqtari një fyerje të dyshuar raciste nga lojtari argjentinas Gianluca Prestianni.
Në një deklaratë të shkurtër zyrtare, UEFA bëri të ditur se raportet e ndeshjes janë aktualisht në shqyrtim.
“Raportet zyrtare nga ndeshjet e mbrëmshme janë duke u shqyrtuar aktualisht. Kur raportohen incidente, iniciohen procedurat dhe, nëse këto çojnë në sanksione disiplinore, këto shpallen në faqen e internetit disiplinore të UEFA-s. Për momentin, nuk kemi informacione të mëtejshme për të dhënë ose komente të tjera për të bërë”, thuhet në reagim.
Ngjarja ndodhi në minutën e 49-të, pasi Vinícius realizoi golin për 0-1 dhe festoi para tifozëve vendas. Më pas, ai iu drejtua gjyqtarit francez François Letexier, duke raportuar fyerjen e pretenduar.
Si pasojë, u aktivizua protokolli anti-racizëm i UEFA-s, duke sjellë një ndërprerje rreth tetë-minutëshe të takimit, derisa situata u analizua përmes pamjeve televizive.
Ndërkohë, raportohet se Benfica ka paraqitur prova në përpjekje për të mbrojtur Prestiannin dhe për të vënë në dyshim versionin e lojtarëve të Real Madridit.
Hetimet pritet të përcaktojnë nëse do të ketë masa disiplinore ndaj ndonjë prej palëve të përfshira në këtë incident që ka ngjallur reagime të shumta në opinionin sportiv evropian./ AutoPortali



