Pas eliminimit dramatik nga Atletico Madrid, mbrojtësi uruguaian i FC Barcelona, Ronald Araujo, ka reaguar duke theksuar se skuadra tashmë duhet të shohë përpara dhe të fokusohet te dy trofetë e mbetur në lojë këtë sezon.
Pavarësisht goditjes së rëndë nga Atletico Madridi, Barcelona u largua me kokën lart, pasi arriti të fitojë 3-0 në ndeshjen e kthimit, duke dominuar plotësisht takimin.
Megjithatë, rezultati i përgjithshëm 4-3 në favor të madrilenëve i dha fund rrugëtimit të katalanasve në këtë kompeticion.
Araujo vlerësoi sakrificën dhe përkushtimin e skuadrës, duke dërguar një mesazh të qartë besimi për vazhdimin e sezonit.
Sipas tij, ekipit i mungoi shumë pak për të siguruar kualifikimin, por loja dhe karakteri i treguar në fushë janë një bazë e fortë për të synuar triumfin në La Liga dhe në UEFA Champions League.
“Ekipi dha gjithçka nga vetja”, deklaroi fillimisht Araujo pas humbjes me rezultat të përgjithshëm 4-3 ndaj Atletico Madridit.
“Na mungoi pak, por jam krenar. Duhet të vazhdojmë në këtë rrugë për të fituar titujt që na kanë mbetur; La Liga dhe Liga e Kampionëve.”
“Duke luajtur në këtë mënyrë, mund të arrijmë dy titujt që na kanë mbetur”, përfundoi kapiteni i Barcelonës, duke shprehur optimizëm për sfidat e ardhshme. /AutoPortali



