Champions League vazhdon edhe sonte me natë të zjarrtë
C

Champions League vazhdon edhe sonte me natë të zjarrtë

Faza e 1/8-s së finales në UEFA Champions League vazhdon edhe sot, me katër ndeshje të tjera që pritet të sjellin spektakël dhe emocione të forta në garën për një vend në çerekfinale.

Sfida që tërheq më së shumti vëmendjen është përballja mes Real Madrid dhe Manchester City.

Dy gjigantët e futbollit evropian janë përballur shpesh në vitet e fundit dhe çdo duel mes tyre ka prodhuar ndeshje spektakolare.

Edhe këtë sezon ekipet janë takuar në fazën e ligës, ku skuadra angleze arriti të triumfojë me rezultatin 2-1.

“Los Blancos” synojnë të marrin revanshin në këtë përballje të parë, edhe pse pritet të zbresin në fushë me disa mungesa në formacion.

Për madrilenët, një rezultat pozitiv është shumë i rëndësishëm, duke pasur parasysh se ndeshja e kthimit do të zhvillohet në Angli.

Një tjetër duel shumë interesant pritet të zhvillohet në Francë, ku Paris Saint‑Germain do të presë Chelsea.

Parizienët synojnë të sigurojnë një fitore të rëndësishme përballë londinezëve, veçanërisht pas humbjes që pësuan ndaj tyre në finalen e FIFA Club World Cup.

Nga ana tjetër, Chelsea ka treguar në shumë raste se di të përballet mirë me skuadrat e mëdha dhe do të tentojë të marrë një rezultat pozitiv në transfertën e vështirë në Paris.

Ndërkohë, Arsenal do të luajë një transfertë të komplikuar përballë Bayer 04 Leverkusen.

Skuadra londineze e drejtuar nga Mikel Arteta kaloi fazën e ligës me një ecuri shumë të mirë, duke regjistruar tetë fitore radhazi, por përballë do të ketë një kundërshtar mjaft të fortë në shtëpi.

Ndeshja tjetër e mbrëmjes do të zhvillohet në Portugali, ku Sporting CP do të përballet me FK Bodø/Glimt.

Vendasit synojnë të hedhin një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në fazën çerekfinale të kompeticionit më prestigjioz për klube në Evropë. /AutoPortali

TË FUNDIT