Lewis Hamilton thotë se është “kthyer në formë të mirë”, megjithëse pranon se ka ende “hapësirë për përmirësim”, pas podiumit të parë me Ferrarin në Formula 1.
Në pistën e Shangait, Hamilton ishte më i shpejtë se shoku i skuadrës Charles Leclerc dhe përfundoi në vendin e tretë, pas pilotëve të Mercedesit që ishin të paarritshëm.
Ky rezultat ishte një lehtësim për britanikun, pasi iu deshën 26 gara për të arritur podiumin e parë me Ferrarin.
“Kjo ishte një ëndërr për mua, por zgjati më shumë se sa e prisja. Pas një viti të vështirë, jam krenar që punoj dhe zhvillohem me këtë ekip”, tha shtatë herë kampioni i botës.
41-vjeçari theksoi se ndihet në formë maksimale, si fizikisht ashtu edhe mendërisht, por shtoi se ende po përshtatet me ekipin dhe makinën.
Ai përmendi se ka punuar shumë gjatë dimrit dhe po bashkëpunon me një inxhinier të ri, ndërsa beson se mund të nxjerrë edhe më shumë performancë nga makina.

Hamilton vlerësoi gjithashtu Ferrarin për faktin që ka dëgjuar kërkesat e tij gjatë zhvillimit të makinës, gjë që e bën të ndihet më i lidhur me ekipin.
Shefi i ekipit, Fred Vasseur, theksoi se përmirësimi i Hamilton është normal, pasi sezoni i dytë është gjithmonë më i lehtë dhe piloti tashmë është më i integruar në skuadër.



