Dokumentari i ri zbulon detaje nga jeta e Michael Schumacher pas tragjedisë
D

Dokumentari i ri zbulon detaje nga jeta e Michael Schumacher pas tragjedisë

Vajza e legjendës së Formula 1, Michael Schumacher, ka dhënë një pasqyrë të rrallë mbi jetën e familjes pas aksidentit të rëndë në ski të babait të saj në vitin 2013.

29-vjeçarja Gina Schumacher dhe nëna e saj Corinna Schumacher janë në qendër të një dokumentari të ri që ndjek jetën e tyre pas tragjedisë. Në të, Gina flet hapur.

Kanali gjerman ZDF do ta publikojë dokumentarin “Horsepower – The World of Gina Schumacher” online më 17 prill, ndërsa në televizion do të transmetohet në maj.

Gazeta gjermane “Bild” ka pasur tashmë mundësinë ta shohë dhe zbulon detaje interesante. Dokumentari fokusohet në karrierën e Ginës në kalërim, ku ajo bën pjesë në elitën e disiplinës “western riding”. Kuajt e saj i kanë dhënë mbështetje të madhe gjatë periudhës më të vështirë për familjen Schumacher.

“Pas aksidentit të babait…”

“Pas aksidentit të babait, iu përkushtova plotësisht kësaj, sepse duhej të merresha me diçka. Kuajt kanë qenë gjithmonë të rëndësishëm për mua. Por që atëherë, mendoj se nuk do të mundja pa ta. Më kanë ndihmuar në gjithçka”, thotë ajo.

Familja ka blerë ranche nëpër botë, dhe Gina në vitin 2025 fitoi dy tituj botërorë, pjesërisht falë kësaj. Sporti e ndihmon të përballojë emocionet.

“Ai kishte shumë të drejtë”

Michael Schumacher e kishte kuptuar herët se vajza e tij do të bëhej e madhe në sportin e kalërimit, kujton Corinna.

“Ai më tha një herë, kur Gina ishte 10 vjeçe: ‘Gina do të jetë shumë më e mirë se ti’. E shpjegoi: ‘Sepse është më egoiste’. Kur je sportist, duhet të jesh disi egoist. Kjo është e mrekullueshme, përndryshe nuk arrin asgjë. Tani mendoj: kishte shumë të drejtë”.

Gina është shumë mirënjohëse për mundësitë që i kanë dhënë prindërit e saj:

“Sepse kjo nuk është diçka e zakonshme. Prindërit e mi ma mundësuan këtë. Prandaj gjithmonë ka qenë e rëndësishme për mua të punoj fort, që ta bëj sa më mirë”.

TË FUNDIT