Volkswagen ka prezantuar zyrtarisht modelin që do të emocionojë të gjithë adhuruesit e Golf-it legjendar – Volkswagen ID.3 GTI i ri! Tri shkronjat më të njohura në historinë e automobilizmit vijnë në një nivel krejtësisht të ri. VW ka kombinuar traditën me teknologjinë moderne në një “bishë” që zyrtarisht mban titullin e modelit GTI më të fuqishëm që gjiganti gjerman ka prodhuar ndonjëherë.
Ajo që do t’i emocionojë veçanërisht fansat e Golf GTI është fakti se ID.3 GTI i ri, me 326 kuaj fuqi dhe 545 Nm çift rrotullues, është një kuaj fuqi më i fuqishëm edhe se ekskluzivi Golf GTI Edition 50! Kjo “bishë” elektrike arrin nga 0 në 100 km/h për vetëm 5,6 sekonda, ndërsa shpejtësia maksimale është e kufizuar elektronikisht në 200 km/h.
Përveç performancës së lartë, makina ka një bateri të madhe 79 kWh, që siguron një autonomi mbresëlënëse prej 601 kilometrash me një karikim. Në karikuesit e shpejtë DC, bateria nga 10 në 80 për qind mbushet për vetëm 29 minuta.
GTI më i fuqishëm në histori dhe një surprizë për fansat e Golf-it
Përveç faktit se është GTI më i fuqishëm i prodhuar ndonjëherë, ky model hyn në histori edhe për një tjetër arsye: është makina e parë me logon GTI që ka vetëm lëvizje me rrotat e pasme. Falë platformës MEB+ dhe motorit elektrik të vendosur në boshtin e pasmë, drejtimi premton një përvojë krejtësisht të re dhe më argëtuese në rrugë.
)
GTI i parë me lëvizje me rrotat e pasme
Për të mos i zhgënjyer fansat e traditës, Volkswagen ka përfshirë edhe një “GTI Driving Mode” të veçantë. Me shtypjen e një butoni aktivizohet funksioni “launch control” për nisje të fuqishme nga vendi, si dhe një tingull artificial i motorit që krijon në kabinë një imitimin të zhurmës dhe përjetimit të drejtimit të Golf GTI klasik me benzinë.
)
Rikthehen butonat dhe mbërrin në pranverë
Pamja e jashtme tregon qartë karakterin sportiv të modelit: parakolpi agresiv me detaje të kuqe GTI, elemente në ngjyrë të zezë me shkëlqim, drita LED vertikale dhe rrota masive 20-inçëshe i japin një pamje imponuese.
Brendësia sjell një ndryshim të mirëpritur për shumë drejtues, pasi Volkswagen ka dëgjuar kritikat dhe ka rikthyer butonat fizikë në timon dhe komandat tradicionale, në vend të sipërfaqeve prekëse.
Kabina përmban një panel dixhital 10,25 inç, ekran infotainment 12,9 inç dhe sedilje sportive me qepje karakteristike GTI.
Kjo “bishë” kompakte do të mbërrijë në sallonet e shitjeve në të gjithë Evropën në pranverën e vitit 2027.



