Gjermanët zbulojnë veturat më të qëndrueshme pas 100 mijë kilometrash
G

Gjermanët zbulojnë veturat më të qëndrueshme pas 100 mijë kilometrash

Revista gjermane Auto Bild ka realizuar teste të rrepta të qëndrueshmërisë në distancë prej 100 mijë kilometrash dhe ka përzgjedhur 14 SUV që kanë dëshmuar rezistencë të jashtëzakonshme ndaj konsumimit dhe defekteve.

Të gjitha modelet në listë kanë marrë vlerësimet më të larta nga ekspertët. Interesant është fakti se disa prej tyre, si vetura të përdorura, mund të gjenden në tregun gjerman me çmime që fillojnë nga rreth 10 mijë euro.

Testimet zgjasin nga një deri në tri vjet, në kushte reale të përdorimit të përditshëm. Pas përfundimit të 100 mijë kilometrave, veturat çmontohen plotësisht dhe analizohen të gjitha pjesët mekanike dhe elektronike për të vlerësuar shkallën e konsumimit dhe besueshmërinë.

Seat në vendin e parë, Volkswagen dhe Mazda në podium

Fitues absolut i testit është Seat Ateca me motorin benzinë 1.4 EcoTSI, e cila përshkoi të gjithë distancën pa asnjë defekt apo ndalesë të detyruar.

Testuesit vlerësuan veçanërisht prakticitetin, drejtimin preciz, harmoninë mes motorit dhe ndërruesit të shpejtësive, si dhe konsumin e moderuar të karburantit. Vërejtja e vetme kishte të bënte me komoditetin e ulëseve në udhëtime shumë të gjata.

Në vendin e dytë u rendit Volkswagen T-Cross 1.0 TSI. Pas çmontimit të plotë nuk u gjetën probleme në motor, ndërruesin e shpejtësive, friksion apo elektronikë.

Vendin e tretë e zuri Mazda CX-5 e gjeneratës së dytë, me motorin dizel Skyactiv-D 184 dhe tërheqje në të katër rrotat. Ajo përfundoi testin pa defekte të rëndësishme, me konsum mesatar prej 8,2 litrash për 100 kilometra.

Lista e 14 SUV-ve më të qëndrueshme:
1.Seat Ateca
2.Volkswagen T-Cross
3.Mazda CX-5 (gjenerata II)
4.Audi Q5 Sportback
5.Cupra Formentor VZ
6.Kia Sportage
7.Volvo XC60
8.Volkswagen Tiguan
9.BMW X1
10.Hyundai Tucson
11.Mini Cooper Countryman
12.Mazda CX-5 (gjenerata I)
13.Peugeot 3008
14.Suzuki SX4 S-Cross

Rezultatet tregojnë se qëndrueshmëria dhe cilësia nuk janë të rezervuara vetëm për veturat e shtrenjta premium. Edhe SUV-të familjare me çmime më të përballueshme mund të ofrojnë besueshmëri të lartë.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se rezultatet e shkëlqyera të një veture të testuar nuk garantojnë automatikisht gjendjen e çdo veture të përdorur të të njëjtit model.

Kjo listë mund të shërbejë si një udhëzues i dobishëm për blerësit që kërkojnë vetura afatgjata dhe me shpenzime të ulëta mirëmbajtjeje.

TË FUNDIT