Me ngritjen e temperaturave, sandalet e hapura bëhen zgjedhja më e zakonshme e shumë shoferëve.
Por a janë ato të përshtatshme për vozitje dhe a mund të gjobiteni për këtë?
Në Ligjin për Trafikun Rrugor në Kosovë, të publikuar në gazetën zyrtare më 18 mars 2024, nuk ka ndonjë nen të veçantë që e specifikon ose ndalon ngasjen me sandale të hapura.
Megjithatë, AutoPortali pyeti edhe Policinë e Kosovës për këtë çështje, mirëpo nuk e definuan qartë.
“Gjatë realizimit të detyrave policore, në të gjitha rastet kur haset në shkelje të ligjeve apo rregullave të trafikut, ndërmerren masat ndëshkuese. Të gjithë pjesëmarrësit në trafik janë të obliguar të respektojnë ligjet, rregullat dhe shenjat e trafikut”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndërkohë, sipas të dhënave të publikuara nga revista kroate HAK, disa vende evropiane e trajtojnë këtë çështje më rreptësisht.
Në Spanjë konsiderohet shkelje dhe mund të dënoheni deri në 80 euro.
Në Itali e Gjermani, ndonëse nuk ka ndalim të drejtpërdrejtë ligjor, në rast aksidenti kompanitë e sigurimeve mund të refuzojnë dëmshpërblimin nëse konstatohet se keni pasur këpucë të papërshtatshme për vozitje.

Përtej aspektit ligjor, rreziqet për sigurinë rrugore janë të qarta. Sandalet mund të rrëshqasin nga shputa, të bllokohen nën pedale apo të pengojnë reagimin e shpejtë në situata të papritura./AutoPortali/




