Ballkani e Suhareka e kanë kompletuar gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës në futboll, fazë në të cilën më herët u kualifikuan edhe Prishtina e Drita.
Ballkani ka fituar në udhëtim te Malisheva me rezultat 3:0, ndërsa Suhareka po ashtu si mysafire fitoi ndaj Vjosës me 1:0.
Kampioni aktual, Ballkani, më lehtë seç pritej fitoi ndaj Malishevës që po kalon një periudhë shumë të mirë në kampionat.
Skuadra nga Theranda kaloi në epërsi pas 25 minutave lojë me anë të Mamadou Danfa, i cili shënoi për 0-1, ndërsa në minutën e 44-t ishte Nazmi Gripshi që shënoi për 0-2 dhe me këtë rezultat ekipet shkuan në pushim.
Në pjesën e dytë, përsëri Ballkani ishte skuadër më e mirë dhe shënoi edhe një gol tjetër.
Në minutën e 50-të Gripshi shënoi për 0-3, që doli të ishte rezultati përfundimtar i ndeshjes.
Në gjysmëfinale është kualifikuar edhe Suhareka, e cila eliminoi skuadrën tjetër të Ligës së Parë, Vjosën.
Goli i vetëm u shënua në minutën e 79-të me anë të Mevlan Zekës, i cili pati vlerën e kualifikimit.