Barcelona ka nisur të mendojë seriozisht për të ardhmen e repartit ofensiv, me një fokus të veçantë te zëvendësimi i sulmuesit kryesor, Robert Lewandowski.
Polaku, tashmë 37 vjeç, ndodhet në vitet e fundit të karrierës, dhe në “Camp Nou” po rritet presioni për të gjetur një numër “9” të ri, që mund të mbajë peshën e ofensivës për vitet në vijim.
Sipas asaj që raporton prestigjiozja spanjolle “Sport”, drejtuesit katalanas kanë hedhur sytë nga një prej zbulimeve më të mëdha të këtij sezoni në La Liga, Karl Etta Eyong, sulmuesi 21-vjeçar nga Kameruni.
Talenti afrikan ka shkëlqyer fillimisht me Villarrealin, ndërsa këtë sezon po spikat edhe më shumë me fanellën e Levantes.
Në vetëm tetë ndeshje të para, Eyong ka realizuar pesë gola dhe ka dhuruar tre asistime, duke kaluar shifrën e 600 minutave në fushë dhe duke treguar potencial të jashtëzakonshëm si një qendërsulmues modern i ri, i shpejtë, teknik dhe me ndjesi të theksuar për golin.
Ky interesim i Barcelonës vjen në një moment delikat për skuadrën, pas një fillimi pozitiv sezonal, katalanasit pësuan një humbje të thellë 4-1 ndaj Sevillës para pushimit ndërkombëtar, duke rikthyer kritikat në drejtim të trajnerit Hansi Flick dhe disa prej lojtarëve kryesorë.
Lewandowski, në veçanti, ishte në qendër të vëmendjes pas një paraqitjeje të zbehtë, ku humbi edhe një penallti vendimtare.
Forma e sulmuesit polak ka qenë në rënie që nga sezoni i kaluar, ndërsa performancat e tij janë larg nivelit që ai kishte me Bayern Munich.
Megjithëse mbetet një emër i madh në futbollin evropian, në Barcelonë tashmë po shihet gjithnjë e më qartë se ka ardhur koha për një tranzicion të domosdoshëm në repartin e sulmit.
Ferran Torres për momentin shihet si alternativa kryesore për të mbuluar pozicionin e Lewandowskit në ndeshje të caktuara, por drejtuesit janë të bindur se skuadra ka nevojë për një “bomber” natyral, me instinkt të lindur për gol.
Në këtë kuadër, Karl Etta Eyong po shihet si profili ideal, nëse ai vazhdon me të njëjtin ritëm gjatë sezonit, Barcelona pritet të ndërmarrë hapa konkretë që në merkaton e ardhshme për ta transferuar në “Camp Nou”. /AutoPortali




