Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka vendosur së fundmi një Rregullore të re për Operacionet me paratë e gatshme, me të cilën përjashtohet nga qarkullimi dinari serb.
Kjo ka zgjuar reagime të ndryshme nga institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare. Telegrafi ka pyetur edhe disa qytetarë se çfarë mendimi kanë ata për këtë temë.
Afrim Aliu shprehu mendimin e tij duke thënë se është i kënaqur me këtë vendim të BQK-së.
“Ma mirë që e kanë ndalu. I kemi paret tona, s’kena nevojë me punu me paret e Serbisë”, ka thënë ai.
Një tjetër qytetar, Idriz Morina e mbështeti rregulloren e re të BQK-së, duke kërkuar pak më shumë kohë deri sa të mësohen qytetarët me përdorimin e vetëm të euros.
“E vlerësoj si vendim pozitiv dhe të drejtë. Se valuta zyrtare është euro, kështu që duhet me kalu një kohë dhe me gjetë njëfarë modusi, që edhe qytetarët me tejkalu këtë dhe të gjithë të kalojnë në euro”, ka thënë Morina.