Selektori i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, është shprehur optimist në prag të ndeshjes ndaj Sllovakisë.
Trajneri gjerman u paraqit në konferencë për shtyp, ku foli për duelin e së enjtes, i vlefshëm për gjysmëfinalen e “play-off”-it të FIFA World Cup 2026, si dhe për rrugëtimin e “Dardanëve” deri në këtë fazë.
“Faza e grupeve ka qenë e vështirë, ka qenë ëndërr për ne që ta kalojmë fazën e grupeve. Synim i yni ka qenë vendi i dytë dhe aty përfunduam. Ka qenë ëndërr ta kalojmë fazën e grupeve. Tash jemi në ‘play-off’ dhe mund ta shkruajmë historinë. I kemi dy ndeshjet e radhës, duhet ta kemi parasysh se Sllovakia e ka mundur Gjermaninë, ka cilësi. I kemi dy ndeshjet e fundit dhe do të bëjmë çmos që Kosovën ta përfaqësojmë denjësisht. Lojtarët janë të motivuar, kemi ekip me një shpirt luftarak, detajet do të vendosin të enjten”, u shpreh Foda.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e menaxhimit të presionit në një ndeshje të tillë.
“E dimë se çka na pret, është një presion i lartë, por duam ta shndërrojmë në energji pozitive. Kemi treguar se në kësi situata dimë ta menaxhojmë emocionin dhe situatën. Është një mundësi e mirë, mundësi që nuk vjen shpesh. E dimë se nëse i fitojmë këto dy ndeshje shkojmë në Botëror. Do të japim gjithçka nga vetja, mund ta shkruajmë historinë”, shtoi ai.
Në fund, Franco Foda u shpreh i kënaqur me zhvillimin e ekipit që prej ardhjes së tij në krye të Kosovës.
“Prej se jam trajner këtu, kjo skuadër është zhvilluar tutje. E kemi këtë ndjenjë dhe eufori momentale. Për ne është me rëndësi që të enjten ekipi të dalë si ekip që nga minuta e parë, qoftë për 90 minuta apo 120 minuta, ekipi duhet të bëjë çmos që të fitojmë”, përfundoi Foda.



