Charles Leclerc i Ferrarit u rendit i katërti në garën e parë t sezonit të ri në Formula 1.
Megjithatë gara e Bahreinit është “harruar”, pasi makinat e Formulës 1 do të zbresin në pistën e Jedahut në Arabinë Saudite për sesionin e parë dhe të dytë të provave të lira, si dhe provat zyrtare të planifikuara për të premten dhe garën për të shtunën.
Piloti nga Monaco, i cili drejton njëvendëshen SF-24, është shfaqur mjaft optimist për një performancë edhe më të mirë në garën e dytë, teksa ka deklaruar se makina është përmirësuar ndjeshëm krahasuar me një vit më parë.
“Makina duket se shkon edhe më mirë sesa e prisnim dhe jemi të kënaqur, megjithatë është ende herët për të bërë konkluzione, pasi është zhvilluar vetëm një garë. Nëse do të mbajmë këtë performancë, jam i bindur që këtë sezon do të jemi shumë më konkurrues. Gjithsesi dihet që Red Bull është një hap përpara të gjithëve. Problemi me sistemin e frenimit ishte diçka e izoluar, që nuk besoj se do të ndodhë sërish”, u shpreh piloti i Ferrarit.