George Russell ka hequr çdo dyshim rreth së ardhmes së tij në Mercedes, duke thënë se nuk ka rrezik që ta humbasë vendin për sezonin 2026, një sezon që pritet të sjellë shumë ndryshime në botën e Formula 1.
Gjatë qëndrimit në Singapor, Russell deklaroi se “kontrata ende nuk është firmosur”, por se është në fazën përfundimtare. Vetëm 24 orë më vonë, burime raportuan se britaniku ka firmosur një kontratë 1+1 vjeçare me Mercedesin.
Kjo marrëveshje ka habitur, pasi në fillim të negociatave, Russell kërkonte një kontratë afatgjatë, që do t’i garantonte siguri në ekipin gjerman. Sipas raportimeve, kontrata do të zgjatet automatikisht për vitin 2027 nëse ai arrin të tejkalojë Antonellin me një përqindje të caktuar gjatë sezonit 2026.
I pyetur nga gazetarët ditën e enjte, Russell nuk e konfirmoi marrëveshjen, por nuk e mohoi as.
“A është kjo mënyra si Mercedes i hap derën Verstappenit?”, pyesin mediat ndërkohë që qarkullojnë spekulime për një kalim të mundshëm të holandezit nga Red Bull te Mercedes.

Russell, ndërkohë, qëndroi diplomatik: “Nuk kam asgjë konkrete për t’ju thënë. Do ta dini të parët kur kontrata të jetë firmosur. Çdo rinovim është vendim kyç në karrierë dhe duhet bërë me kujdes. Nuk ka arsye për shqetësim. Nëse vazhdoj të jem i mirë sot, nesër, dhe pasnesër, qëllimi im afatgjatë do të realizohet”, tha ai në Singapor.




