OJQ-të padisin ministrinë e Liburn Aliut për dhënien e lejes mjedisore për hidrocentralin “Lumbardhi I”
O

OJQ-të padisin ministrinë e Liburn Aliut për dhënien e lejes mjedisore për hidrocentralin “Lumbardhi I”

Tri OJQ që merren me mbrojtjen e ambientit, kanë ngritur padi kundër ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) në lidhje me dhënien e Lejes Ujore për hidrocentralin “Lumbardhi I” në Deçan.

“Pishtarët”, “Gjethi” dhe “EcoZ” thonë se padia konteston vendimin e MMPHI-së të datës 17 gusht 2022, ku aprovohet kërkesa për Leje Ujore të “Kelkos Energy” SHPK, duke argumentuar shkelje të rëndësishme ligjore në procedurat e dhënies së lejes dhe mungesë të përfshirjes së publikut në vendimmarrje, raporton Klankosova.tv, transmeton AutoPortali.

Në veçanti, OJQ-të thonë se ky vendim është marrë pa respektuar dispozitat ligjore për mbrojtjen e resurseve ujore dhe të mjedisit, si dhe pa ndjekur procedurat e duhura administrative dhe mjedisore, duke shkaktuar dëm të pariparueshëm mjedisit dhe komunitetit lokal të zonës së Deçanit.

“Ne jemi thellësisht të zhgënjyer me ministrin Liburn Aliu, i cili përkundër evidencave dhe dëshmive, premtimeve të tij para ardhjes në pushtet dhe historisë famëkeqe që ka kompania ‘Kelkos’ në tharjen e ‘Lumbardhit’, tash edhe i ka larguar kësaj kompanie çdo përgjegjësi ligjore dhe mundësi që një ditë të arrijmë në shpëtim të atyre resurseve ujore që kanë mbet, pasi ‘Kelkos’-it jo vetëm që i është lejuar të operojë pa përmbushje të kritereve ligjore, por as nuk iu është dhënë ndonjë afat i caktuar që të plotësohen këto kushte”.

“Këto veprime janë tërësisht të kundërligjshme, degradojnë mandatin e MMPHI-së, dhe ndikojnë bindshëm në humbjen e resurseve ujore nëntokësore”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e këtyre OJQ-ve.

Më tej, këto OJQ thonë se ministri Aliu dhe Lëvizja Vetëvendosje, para së te vinin në pushtet, “patën premtuar se nuk do të ketë më Leje Ujore për hidrocentrale por shfrytëzimi i ujit do të jetë vetëm me procedure të koncesionit”.

“Këto veprime që janë tërësisht në kundërshtim me premtimet parazgjedhore, dhe me ligjet aktuale tregojnë qartë se ministri Aliu ka braktisur mandatin e dhënë nga populli”.

“Për të siguruar mundësinë për shpëtimin e lumit të ‘Lumbardhit’, ne me këtë padi kemi kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të këtij vendimi deri në marrjen e një vendimi përfundimtar gjyqësor. Është thelbësore të kujtojmë se lufta jonë nuk është vetëm për rregullore dhe ligje; ajo është për të mbrojtur pasurinë më të pakët që e kemi si vend – ujin – dhe për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për brezat që vijnë”, u tha në njoftim.

Të tri OJQ-të e nënshkruara në këtë komunikatë thonë se kjo nuk është vetëm një çështje ligjore, por është dëshmi alarmante se si po keqmenaxhohen ujërat dhe mjedisi në këtë qeveri.

“Kjo padi është një thirrje për të vepruar me guxim, integritet dhe dashuri për Kosovën, ashtu siç na është premtuar, ashtu siç do të duhej të ishte”, përfundon komunikata e tri OJQ-ve. /Klankosova.tv

TË FUNDIT