Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Milot Rashica, është shprehur shumë i zhgënjyer pas humbjes (0:1) që skuadra e tij, Besiktas, e pësoi nga Galatasaray.
“Jam vërtet i trishtuar. Në përgjithësi, mund të them se luajtëm ndeshjen më të mirë të sezonit. Qarkulluam topin, krijuam rastet tona, por nuk arritëm të shënonim gol. Na mungoi finalizimi, teksa pësuam një gol të shpifur. Fatkeqësisht shënuam autogol. Jam i trishtuar që nuk arritëm të fitonim derbin”, u shpreh Rashica pas ndeshjes.
Rashica pati paraqitje të mirë, por rreziku kryesor për Galatasarayn ishte futbollisti tjetër shqiptar, Ernest Muçi, por që për fat të keq nuk arriti të shënojë.
Pas javës së 28-të në kampionatin turk, Galatasaray e kryeson renditjen me 75 pikë, ndërsa Besiktas gjendet në pozitën e katërt me 46 pikë.