Si e komentojnë mediat sllovene listën e Fodës, mungesat dhe rezultatet
S

Si e komentojnë mediat sllovene listën e Fodës, mungesat dhe rezultatet

Mediat sllovene kanë ndjekur me vëmendje grumbullimin e fundit të Kombëtares së Kosovës, duke analizuar në detaje zgjedhjet e trajnerit Franco Foda, mungesat kryesore dhe performancat e deritanishme të ekipit.

Franco Foda, që më parë ka qenë në krye të klubeve si Sturm Graz, Kaiserslautern dhe Zyrih, si dhe ka drejtuar edhe Kombëtaren e Austrisë, ka ftuar 27 lojtarë për sfidat e ardhshme kualifikuese, raporton portali slloven Siol.net.

Ndër mungesat më të ndjeshme spikat kapiteni Amir Rrahmani, i cili nuk do të jetë i gatshëm për shkak të një dëmtimi. Megjithatë, Kosova do të mbështetet në përvojën e emrave të njohur si Vedat Muriqi, Milot Rashica, Valon Berisha, Fidan Aliti dhe Mërgim Vojvoda.

Figurë qendrore e skuadrës vlerësohet të jetë Edon Zhegrova, i cili së fundmi është transferuar te Juventusi, ndërsa në listë ndodhen gjithashtu tre futbollistë të Hoffenheimit, si dhe lojtarë që luajnë në pesë kampionatet kryesore të Europës.

Që kur mori drejtimin e Kosovës, Foda ka zhvilluar 15 ndeshje, duke regjistruar 10 fitore dhe 5 humbje, pa asnjë barazim një statistikë që sipas mediave sllovene tregon një qasje të qartë ofensive dhe të vendosur për fitore.

Një element tjetër që ka tërhequr vëmendjen është edhe lista e zgjeruar e rezervave, ku Foda ka përfshirë nëntë futbollistë të gatshëm për të zëvendësuar çdo lojtar në rast nevoje të papritur.

Emrat në këtë listë janë: Faton Maloku, Kreshnik Krasniqi, Behar Neziri, Ismet Lushaku, Bledian Krasniqi, Andi Hoti, Rilind Nivokazi, Bersant Celina dhe Donat Rudhani.

Sipas vlerësimeve të mediave sllovene, edhe në mungesë të kapitenit, Kosova paraqitet si një kundërshtar i rrezikshëm dhe mirë i strukturuar.

Përballja me Slloveninë të premten shihet si një ndeshje me shumë rëndësi, me pritshmëri të larta nga të dyja palët.

Për më tepër, Siol thekson edhe ndikimin e tifozëve, të cilët pritet të mbushin stadiumin “Fadil Vokrri”, duke siguruar një atmosferë elektrizuese dhe mbështetje të zjarrtë për ekipin e tyre kombëtar.

TË FUNDIT