Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll (U18) në konkurrencën e femrave ka arritur sukses historik.
Dardanet e reja janë kualifikuar në finale të IHF Trophy Intercontinental.
Të shtunën, ato fituan bindshëm ndaj Kaledonisë së Re, me rezultat 27:16, në turneun që po zhvillohet në Uzbekistan.
Në ndeshjen finale, e cila zhvillohe të dielën, Kosova do të takohet me Nigerinë.
Ndaj Kaledonisë së Re, Kosova U18 ka dominuar plotësisht, sidomos në pjesën e dytë.
Për rreth 20 minuta loja ishte e barabartë, por më pas vajzat tona nisën shkëputjen. Pjesa e parë përfundoi 14:10 për Kosovën U18. Në pjesën e dytë rezultati ishte 13:6.
Diona Dresh u shpall lojtarja më e mirë e ndeshjes. Ajo i realizoi nëntë gola nga 11 tentime. Nga katër gola i shënuan Sara Gjergjaj e Arjeta Imeraj, ndërsa nga tri i kishin Arona Krasniqi e Andra Uglani.
Për kualifikim në Kampionat Botëror, Kosovës U18 i duhet fitorja ndaj Nigerisë në finale. Ndryshimi është kumtuar vetëm të shtunën nga përgjegjësit e IHF-së. Pra nuk mjafton arritja në finale, por vetëm vendi i parë siguron pjesëmarrjen në Botëror.