Valencia 2024, nisin regjistrimet
V

Valencia 2024, nisin regjistrimet

Kanë filluar regjistrimet për edicionin e tretë të lojërave Motorsport FIA 2024, ku marrin pjesë garues nga mbarë bota, njofton Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA).

Lojërat do të mbahen në Valencia të Spanjës, në tetor të këtij viti, duke i pasuar dy edicionet e mëparshme nga Roma (2019), përkatësisht Marseja (2022).

Interesimi për këto lojëra është duke u rritur vazhdmisht dhe kështu pritet të jetë edhe sivjet. Po ashtu është rritur edhe numri i garave. Derisa në Romë, më 2019 ishin gjashtë gara me garues nga 49 vende, në vitin 2022 në Marsejë të Francës garat u zhvilluan në 16 kategori me garues nga 72 shtete.

Lojërat e këtij viti do të jenë edhe më të mëdha, me numrin e kategorive që do të zgjerohet në 26 në gjashtë disiplina kryesore: Circuit, Rally, Off-Road, Karting, Electric Street dhe Esports.

Në Marsejë mori pjesë edhe Kosova e cila u përfaqësua nga Visar Gjikolli në Esport, Ermira Topalli e Valon Jaha në auto sllallom dhe në karting Rea Gashi e Baran Karabeg.

Regjistrimet për Lojërat e Motorsport FIA 2024 u hapën më 4 mars, nëpërmjet platformës së dedikuar të regjistrimit të FIA-s dhe mbeten të hapura deri më 23 shtator.

https://www.fia.com/news/race-enter-2024-fia-motorsport-games

 

TË FUNDIT