Vinales tregon të vërtetën për situatën e tij te KTM
V

Vinales tregon të vërtetën për situatën e tij te KTM

Piloti spanjoll i MotoGP, Maverick Vinales, ka hedhur poshtë raportimet se do të largohet nga ekipi Tech3 KTM para përfundimit të sezonit, duke i cilësuar ato si “gënjeshtra” dhe “artikuj pa kuptim”.

Gjatë fundjavës u raportua se bashkëpunimi mes Vinales dhe KTM mund të përfundonte që në Çmimin e Madh të Britanisë, ndërsa vendin e tij do ta zinte test-piloti Pol Espargaro. Sipas mediave, kritikat e shpeshta të spanjollit ndaj drejtuesve të KTM-së, përplasjet me drejtuesit e ekipit Tech3, si dhe rikuperimi i ngadaltë nga dëmtimi në shpatull, kishin përshpejtuar ndarjen.

Megjithatë, Vinales reagoi menjëherë në rrjetet sociale.

“Po lexoj artikuj që nuk kanë asnjë kuptim. Javën e kaluar isha në qendrën sportive të Red Bull për të kuptuar pse nuk po rikuperohem siç duhet. Po analizoj të gjitha të dhënat me mjekët e mi. Ndaloni së shkruari lajme të pavërteta për mua. Nuk do të garoj në Kampionatin Botëror të Superbike dhe do ta përfundoj sezonin në MotoGP, ashtu siç e parashikon kontrata ime”, deklaroi ai.

Vinales vuan ende pasojat e dëmtimit në shpatull, të pësuar gjatë provave për Çmimin e Madh të Gjermanisë vitin e kaluar. Që nga ajo kohë ai ka munguar në 11 gara, ndërsa rezultati i tij më i mirë ka qenë vendi i 11-të në Çmimin e Madh të Katalonjës në muajin maj.

MotoGP rikthehet këtë fundjavë pas pushimit veror me Çmimin e Madh të Britanisë, ku aktivitetet në pistë do të zhvillohen nga e premtja deri të dielën.

TË FUNDIT