Këtë të enjte, në një seancë të cilësuar të jashtëzakonshme, është votuar është miratuar në mënyrë unanime, me 33 vota për dhe asnjë kundër, projektbuxheti i Komunës së Gjilanit për vitin 2025.
Projektbuxheti u votua pas debateve të ashpra mes pozitës dhe opozitës, ku në fund u inkorporuan edhe ndryshimet-propozimet nga këshilltarët komunalë të opozitës.
Ngërçi i votimit të buxhetit komunal të Gjilanit kishte nisur qysh nga shtatori i vitit të kaluar.
Gjatë adresimit para kuvendarëve, kryetari i Komunës, Alban Hyseni ka thënë se kjo seancë nuk është ftuar sipas procedurave siç e thotë ligji, pasi do të duhej të cilësohej si seancë urgjente e ftuar nga ai, për ta prezantuar më pas buxhetin për vitin 2025.
“Totali i kufijve buxhetorë për buxhetin e vitit 2025 është 39.897.577 euro. Për të tjerat, nga granti i përgjithshëm kemi rreth mbi 14.5 milionë euro, granti për shëndetësi 4.3 milionë euro, granti për arsim 14.4 milionë euro, të hyrat vetanake 6.1 milionë euro, për paga dhe mëditje do të shpenzohen 20.6 milionë euro, në mallra dhe shërbime 7.7 milionë euro, në shpenzime komunale 628 mijë, në subvencione 1.9 milionë euro dhe shpenzime kapitale rreth 8.8 milionë euro”, është shprehur Hyseni.
Ai tha se në total janë 31 projekte kapitale, të cilat janë të planifikuara për t’u realizuar në vitin 2025.
Avdyl Aliu, shef i grupit të asamblistëve të LDK-së, ka thënë se e votojnë buxhetin e planifikuar me disa projekte shtesë të propozuar nga partia e tij, me përjashtim të projektit të Bulevardit të qytetit, pasi, sipas tij, është në kundërshtim me Planin Zhvillimor Urban dhe me planet e niveleve të tjera, të cilën e ka kundërshtuar kreu i Gjilanit, duke thënë se ky projekt është në harmoni të plotë me legjislacionin në fuqi.
Shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së, Bujar Nevzati, pasi konfirmoi se do ta votojnë buxhetin, ka propozuar ndarjen e një milion eurove për varrezat e qytetit, projektin për ndërtimin e një qendre për qentë endacakë, funksionalizimin e shkollës së agro-biznesit etj., derisa Nazim Gagica, shef i asamblistëve të AAK-së, tha se shtatë muaj më parë i ka dhënë mbështetje buxhetit, për të shtuar se nuk e ka asnjë kërkesë e as propozim shtesë.
Kërkesat të LDK-së dhe PDK-së morën mbështetjen e shumicës së kuvendarëve, ndërkaq, projekt-buxheti në tërësi mori mbështetjen unanime të 33 asamblistëve prezentë të të gjitha partive politike, shkruan Klankosova.tv
Votimi i projektbuxhetit në fund u përcoll me duartrokitje, pasi në rast se do të dështonte që i njëjti të miratohej deri nesër, komuna e Gjilanit do të rrezikonte të shkonte në zgjedhje për asamble komunale.



