Me një fluks të parashikuar prej 12 milionë pasagjerësh në vitin 2025, autoritetet synojnë të përshpejtojnë procesin doganor dhe hyrjet në vend.
Në kuadër të masave për përballimin e sezonit të ngarkuar turistik, Ministri i Financave dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave kanë zhvilluar sot një vizitë inspektuese në Degën Doganore të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Qëllimi kryesor i kësaj vizite, sipas zyrtarëve, është garantimi i përshpejtimit të procedurave të kalimit kufitar dhe doganor për udhëtarët, në një periudhë kur fluksi është në rritje të ndjeshme.
“Objektivi ynë është të lehtësojmë maksimalisht procesin e pritjes dhe të hyrjes në vend të pasagjerëve, duke shmangur vonesat dhe duke rritur cilësinë e shërbimit”, u shpreh Ministri i Financave gjatë deklaratës për mediat.
Sipas projeksioneve zyrtare, gjatë vitit 2025 pritet që numri i pasagjerëve në Aeroportin e Rinasit të arrijë në 12 milionë, një rritje e konsiderueshme krahasuar me vitet e mëparshme.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave konfirmoi se janë rritur kapacitetet e personelit dhe janë shtuar kontrollet inteligjente për përshpejtimin e procedurave dhe minimizimin e radhëve. Ai theksoi se për turistët dhe qytetarët shqiptarë, kjo verë do të shënojë një përmirësim të ndjeshëm në eksperiencën e udhëtimit nëpërmjet TIA, përcjell albinfo.ch.
Vizita në terren u shoqërua edhe me inspektime të pikave të kontrollit doganor, sporteleve të pasaportave dhe zonave të sigurisë.



