Superliga Evropiane edhe zyrtarisht nuk do të realizohet. Lajmi është konfirmuar nga shtëpia e futbollit evropian, UEFA, e cila ka bërë të ditur se ka arritur një marrëveshje me Klubet Evropiane të Futbollit (EFC) dhe Real Madridin, me qëllim mbrojtjen dhe mirëqenien afatgjatë të futbollit evropian.
Në një komunikatë të publikuar të mërkurën, UEFA njoftoi se palët kanë arritur një marrëveshje parimore që synon të ruajë parimin e meritës sportive, të forcojë qëndrueshmërinë financiare të klubeve dhe të përmirësojë përvojën e tifozëve përmes përdorimit të teknologjisë moderne.
“Pas muajsh diskutimesh të zhvilluara në interesin më të mirë të futbollit evropian, UEFA, Klubet Evropiane të Futbollit (EFC) dhe Real Madrid CF njoftojnë se kanë arritur një marrëveshje parimesh për mirëqenien e futbollit evropian të klubeve, duke respektuar parimin e meritës sportive me theks në qëndrueshmërinë afatgjatë të klubit dhe përmirësimin e përvojës së tifozëve përmes përdorimit të teknologjisë”, thuhet në komunikatën zyrtare të UEFA-s.
Sipas njoftimit, kjo marrëveshje do të shërbejë gjithashtu për të zgjidhur përfundimisht mosmarrëveshjet ligjore që lidhen me projektin e Superligës Evropiane, sapo parimet e dakorduara të zbatohen në praktikë.
Projekti i Superligës Evropiane ishte shpallur më 18 prill 2021 nga 12 klube të mëdha evropiane, përfshirë Real Madridin, Barcelonën, Juventusin, Manchester Unitedin, Liverpoolin, Chelsean dhe disa të tjera.
Ideja parashihte krijimin e një gare pothuajse të mbyllur me anëtarë të përhershëm, duke anashkaluar sistemin tradicional të kualifikimit përmes meritës sportive në kampionatet vendore dhe garat ekzistuese evropiane.
Njoftimi për krijimin e kësaj lige shkaktoi reagime të menjëhershme dhe të ashpra nga tifozët, federatat kombëtare, ligat vendore, si dhe nga vetë UEFA dhe FIFA.
Kundërshtimi ishte veçanërisht i fortë në Angli, ku presioni publik dhe politik ndaj klubeve pjesëmarrëse u rrit ndjeshëm.
Brenda vetëm 48 orësh nga shpallja zyrtare, gjashtë klubet angleze u tërhoqën nga projekti, duke e lënë atë praktikisht të dështuar.
Më vonë, edhe klubet e tjera nisën të distancohen, ndërsa ideja në formën e saj fillestare u rrëzua.
Megjithëse në vitet pasuese pati përpjekje për ta riformuluar dhe rikthyer projektin me një strukturë të ndryshuar, ato nuk arritën sukses konkret.
Edhe klubet që fillimisht këmbëngulën më së shumti, si Barcelona dhe Juventusi, përfundimisht hoqën dorë nga iniciativa.
Me marrëveshjen e fundit të arritur me UEFA-n, çështja e Superligës Evropiane duket se është mbyllur përfundimisht, duke i dhënë fund një prej debateve më të mëdha në historinë moderne të futbollit evropian. /AutoPortali



