Hakimi shpallet lojtari më i mirë i Afrikës për vitin 2025
H

Hakimi shpallet lojtari më i mirë i Afrikës për vitin 2025

Achraf Hakimi është shpallur Lojtari Afrikan i Vitit 2025, duke u vlerësuar për një sezon të jashtëzakonshëm që e ka vendosur mes mbrojtësve më të mirë të Evropës.

Ylli i Paris Saint-Germain e mori çmimin në ceremoninë e CAF-it të mbajtur të mërkurën në Rabat, duke u bërë marokeni i parë që e fiton këtë trofe që nga Mustapha Hadji në vitin 1998.

27-vjeçari triumfoi në garë përballë emrave të mëdhenj si Mohamed Salah, Victor Osimhen dhe Serhou Guirassy.

Fituesi u përcaktua përmes votave të trajnerëve dhe kapitenëve të kombëtareve afrikane. Edhe pse aktualisht është jashtë fushës për shkak të një lëndimi në kyçin e këmbës, të marrë në fitoren e PSG-së ndaj Bayern Munich më 4 nëntor, Hakimi udhëtoi drejt Marokut për të marrë pjesë në ceremoninë ku ishin të pranishëm edhe Nasser Al-Khelaïfi, Gianni Infantino dhe Walid Regragui.

Ky çmim vjen pas sezonit më të kompletuar të karrierës së tij, ku ai pati rol kyç në sukseset e PSG-së drejt titullit të Ligës së Kampionëve.

Hakimi shënoi në çerekfinale, gjysmëfinale dhe finale, duke e përfunduar sezonin me 11 gola dhe 16 asistime në 55 ndeshje në të gjitha garat nën drejtimin e Luis Enrique.

Edhe pse pritet të mungojë edhe disa javë për shkak të lëndimit, qëllimi i tij është të rikuperohet në kohë për Kupën e Kombeve të Afrikës 2025, të cilën Maroku do ta presë nga 21 dhjetori deri më 18 janar.

TË FUNDIT