Mësohet sa tifozë do të jenë prezentë në ndeshjen Serbi – Shqipëri
M

Mësohet sa tifozë do të jenë prezentë në ndeshjen Serbi – Shqipëri

Ndeshja kualifikuese mes Serbisë dhe Shqipërisë, e planifikuar për t’u zhvilluar më 11 tetor në stadiumin “Dubocica” të Leskovcit, do të luhet në prani të një numri të kufizuar tifozësh.

Vetëm 6500 spektatorë do të lejohen të ndjekin takimin nga tribuna, pas një vendimi të Komisionit Disiplinor të FIFA-s për mbylljen e një pjese të stadiumit, transmeton AutoPortali.

Ky vendim vjen si pasojë e shkeljeve serioze të rregullores gjatë ndeshjes së fundit të Serbisë kundër Anglisë, e cila u luajt në qershor në Beograd përpara 40 mijë tifozëve.

Gjatë asaj sfide, FIFA evidentoi një sërë incidentesh të rënda: fyerje ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, fishkëllima ndaj himnit kombëtar të Anglisë, si dhe akte dhune nga grupe të lidhura me qarqe kriminale dhe politike brenda vendit.

Përveç masës disiplinore me reduktimin e kapacitetit të stadiumit, Federata e Futbollit e Serbisë është ndëshkuar edhe financiarisht.

Stadiumi “Dubocica” ka një kapacitet prej 8136 ulësesh, por vetëm 80% e tyre do të lejohen të përdoren për ndeshjen ndaj Shqipërisë.

Burime nga FIFA kanë bërë të ditur se zgjedhja e një stadiumi më të vogël, siç është ai i Leskovcit dhe jo ndonjë prej stadiumeve më të mëdha në Beograd, është bërë qëllimisht.

Qëllimi është të mundësohet një kontroll më i rreptë mbi shitjen e biletave dhe të minimizohet prania e grupeve të njohura për shkaktimin e trazirave dhe që kundërshtojnë pushtetin aktual në Serbi.

Në ndeshjen ndaj Anglisë, ku Serbia u mposht me rezultatin 5-0, pati gjithashtu fyerje ndaj trajnerit serb, Dragan Stojkoviq, si dhe incidente të tjera që kanë vënë në alarm organizatat ndërkombëtare të futbollit.

FIFA ka paralajmëruar se, nëse incidentet e dhunshme përsëriten gjatë ndeshjes ndaj Shqipërisë, masat disiplinore do të ashpërsohen më tej, deri në përjashtim të mundshëm nga aktivitetet ndërkombëtare./AutoPortali

TË FUNDIT