Kur Granit Xhaka vendosi të largohej nga Bayer Leverkusen kampionët e Bundesligës për t’u bashkuar me Sunderlandin e sapongjitur në Premier League, shumë vetulla u ngritën në të gjithë Evropën.
Një vendim i tillë, i papritur për një lojtar me përvojë, që sapo kishte mbyllur një sezon fantastik në Gjermani dhe që luante në Ligën e Kampionëve, habiti botën e futbollit.
Por, sipas një interviste ekskluzive të dhënë për Flashscore nga agjenti i tij, Jose Noguera, ky ishte një hap i mirëllogaritur nga Xhaka, jo një tërheqje, por një sfidë e re me vizion afatgjatë, transmetonAutoPortali.
Noguera tha se vendimi i Xhakës për të lënë Leverkusen nuk ishte i lidhur me ndonjë pakënaqësi, por me dëshirën për të eksploruar një përvojë të re.
“Pas dy vitesh, Xhakës i duhej një sfidë e re. Kjo ishte bindja e tij,” u shpreh agjenti.
Sipas Noguera, gjithçka nisi me një telefonatë personale nga Kyril Louis-Dreyfus, pronari i ri dhe ambicioz i Sunderlandit, i cili gjithashtu është zviceran.
Ai e kontaktoi Xhakën personalisht për t’i prezantuar projektin e klubit.
“Biseda e parë ishte me Kyrilin. Graniti u ndje menjëherë i lidhur me vizionin e tij dhe me qasjen e re që po ndërtonte klubi,” rrëfen agjenti.
Pas kësaj, bisedat kaluan te Noguera dhe gjërat lëvizën shpejt drejt marrëveshjes.
Pavarësisht interesit të madh nga klube të Premier League dhe madje edhe nga skuadra pjesëmarrëse në Champions League, Xhaka zgjodhi Sunderlandin.
“Ai kishte tri oferta të mëdha, por i refuzoi për këtë projekt. Ishte një vendim i bazuar te ambicia personale, jo vetëm tek suksesi i menjëhershëm,” sqaroi Noguera.
Një tjetër arsye e fortë pas vendimit të Xhakës ishte dëshira për t’u përgatitur për të ardhmen.
Ai synon të bëhet trajner dhe e sheh kjo periudhë si një mundësi për të mësuar në një ambient ndryshe.
“Ai ka luajtur në nivelet më të larta: Ligë Kampionësh, tituj kampionë, finale kupash. Tani dëshiron të kuptojë futbollin nga një perspektivë tjetër dhe kjo eksperiencë do ta ndihmojë në të ardhmen,” theksoi Noguera.
Xhaka është i njohur për lidhjen e fortë me familjen, prandaj, mbështetja e bashkëshortes dhe fëmijëve të tij për këtë ndryshim jetësor ishte vendimtare.
“Familja e tij pati një rol të madh. Gruaja dhe tre fëmijët e tij ishin të gatshëm ta ndiqnin në këtë rrugëtim. Pa miratimin e tyre, ky transferim nuk do të ndodhte,” tha Noguera.
Agjenti i Xhakës përfundoi duke komentuar edhe mbi dallimet mes Bundesligës dhe Premier League.
“Në Angli loja është më fizike, ndoshta më pak teknike. Shumë lojtarë të mëdhenj kanë pasur nevojë për kohë për t’u përshtatur. Por Graniti e pranon këtë sfidë me përulësi dhe vendosmëri.” /AutoPortalia