ShBA do të përshpejtojë vizat për tifozët e Botërorit 2026
S

ShBA do të përshpejtojë vizat për tifozët e Botërorit 2026

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar masa të reja për përshpejtimin e procesit të lëshimit të vizave për vizitorët ndërkombëtarë që planifikojnë të marrin pjesë në ndeshjet e Kampionatit Botëror të Futbollit 2026.

Kupa e Botës, e cila do të organizohet në mënyrë të përbashkët nga SHBA-ja, Meksika dhe Kanadaja, pritet të tërheqë qindra mijëra tifozë nga mbarë bota.

Duke folur nga Zyra Ovale, presidenti Trump deklaroi se administrata e tij ka përgatitur një sistem të ri të veçantë për caktimin e takimeve për intervistat e vizave.

Ky mekanizëm do t’u japë përparësi aplikantëve që posedojnë bileta për ndeshjet që do të zhvillohen në 11 qytete amerikane, nga data 11 qershor deri më 19 korrik 2026.

Trump theksoi se agjencitë qeveritare janë angazhuar maksimalisht për të siguruar që procesi i kontrollit kufitar të jetë efikas, ndërsa tifozët e huaj të kenë mundësi të hyjnë pa pengesa në SHBA gjatë muajve të verës.

Sipas tij, kohët e pritjes për shumicën e vizave tashmë janë reduktuar dukshëm, duke rënë në më pak se 60 ditë.

Presidenti vuri në dukje se Botërori 2026 përbën një mundësi të madhe ekonomike për vendin, duke parashikuar rreth 30 miliardë dollarë të ardhura dhe krijimin e 200 mijë vendeve të reja të punës.

Ai e cilësoi këtë ngjarje si një prej motorëve më të fuqishëm ekonomikë që SHBA-ja mund të përjetojë gjatë vitit të ardhshëm.

TË FUNDIT