21-vjeçari nga Vitia godet me veturë pesë persona në park, njëri në gjendje të rëndë
2

21-vjeçari nga Vitia godet me veturë pesë persona në park, njëri në gjendje të rëndë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Vitisë, ku një 21-vjeçar ka goditur me veturë pesë persona në një park, duke u shkaktuar lëndime trupore, njëri prej tyre në gjendje të rëndë.

Detaje rreth rastit ka dhënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Hashani ka thënë për AutoPortali se i dyshuari M.K.SH. (i lindur në vitin 2004), derisa ishte duke drejtuar veturën e tij me targa të regjistrimit 06, ka devijuar rrugën dhe fillimisht ka goditur disa karrige në park. Më pas, ai ka përplasur me veturë pesë persona që ndodheshin aty, duke u shkaktuar lëndime të dukshme.

Njësitet relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes ku pas hetimit fillestar, dyshohet se, i dyshuari i ka goditur viktimat. I dyshuari dhe viktimat kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar për tretman mjekësor fillimishtë në emergjencën QKMF –Viti, e pastaj në Emergjencën rajonale në Gjilan, ku vazhdojnë të trajtohen (sipas raportit të mjekut jashtë rrezikut për jetë), si dhe njëri nga viktimat, i lënduar rëndë, është dërguar në QKUK në Prishtinë për tretman mjekësor“, tha ai.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti është cilësuar si “Vrasje e rëndë në tentativë.”

Hetimet po vazhdojnë nga njësitet e hetimeve rajonale në Gjilan, ndërsa motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta.

TË FUNDIT