Sot e gjithë bota nderon librin dhe krijuesin e tij, autorin. Në kohët e zhvillimeve të vrullshme teknologjike, ku kompjuteri, celulari dhe interneti janë lehtësisht të përdorshme nga cilido zotërues, i madh a i vogël qoftë, sfida e leximit të librit mbetet një nga sfidat e autorëve, botuesve dhe institucioneve që merren me të, por jo vetëm. E gjithë shoqëria duhet të reflektojë, pasi libri gjithnjë e më pak po lexohet, e edhe më pak po shitet.
E kjo ditë na fton të reflektojmë në qasjen tonë ndaj kësaj shpikje të hershme të njerëzimit, që ka transmetuar ndër shekuj dije e informacion nga brezi në brez, shkruan atsh.
Kjo është arsyeja, për të cilën kjo datë domethënëse për letërsinë universale është caktuar nga Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s për t’i bërë homazh botëror librit dhe autorëve të tij dhe për të inkurajuar të rinjtë që të zbulojnë kënaqësinë e të lexuarit, si edhe për të respektuar kontributin e pazëvendësueshëm, që kanë dhënë krijuesit për progresin social dhe atë kulturor.
Shekspiri konsiderohet si shkrimtari më i madh i të gjitha kohëve dhe vendeve, ndërsa Miguel de Servantes është autori i veprës më të përkthyer në botë, “Don Kishotit”. Kjo datë lidh edhe autorë tjerë në ditën e lindjes a vdekjes së tyre: Inca Garcilasode la Vega, Maurice Dryon, Halldor Kiljan Laxness, Vladimir Nabokov, Josep Pla dhe Manuel Mejia Vallejo.



