Një 25 vjeçare nga Kosova ka mbetur e lënduar rëndë si pasojë e një aksidenti në Austri, derisa shoferi i automjetit tjetër një 27 vjeçar austriak është në gjendje kritike.
Sipas policisë austriake, ky i fundit ishte nën ndikimin e alkoolit dhe po drejtonte mjetin pa patentë të vlefshme.
Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të së shtunës në rrugën L406, në zonën e Flattendorfit.
Gruaja nga Kosova ishte duke udhëtuar me veturën e saj në drejtim të Schildbachut, kur rreth orës 23:05, në kilometrin 20.1 të kësaj rruge, u përplas ballë për ballë me një automjet që po vinte nga drejtimi i kundërt, transmeton Klankosova.tv.
Ajo u dërgua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Oberwartit, ku po merr trajtim mjekësor.
Ndërkohë, shoferi austriak mbeti i bllokuar brenda automjetit dhe u nxor nga ekipet e emergjencës.
Ai fillimisht u transportua në Spitalin Rajonal të Hartbergut, ndërsa më pas u dërgua me helikopter në Spitalin Rajonal të Gracit, ku sipas raportimeve ndodhet në gjendje kritike.
Sipas autoriteteve austriake, 25 vjeçarja nga Kosova rezultoi negativ në testin e alkoolit, kurse 27-vjeçari austriak ishte në gjendje të rëndë të dehur dhe po drejtonte automjetin pa patentë të vlefshme, transmeton Klankosova.tv.
Për shkak të hetimeve dhe largimit të automjeteve të dëmtuara, rruga L406 u mbyll për rreth një orë e gjysmë.



