Gjatë 24 orëve të fundit, vendi është përfshirë nga 50 vatra zjarri, prej të cilave 19 mbeten ende aktive. Situata më problematike paraqitet në jug, ku flakët kanë depërtuar në zona të mbrojtura si Parku i Syrit të Kaltër, “Rëzoma” dhe pyjet e Kolonjës e Gjirokastrës.
Në operacionet e shuarjes po marrin pjesë mbi 1 mijë forca tokësore dhe 82 mjete zjarrfikëse, të mbështetura nga ajri me avionë e helikopterë nga Shqipëria, Greqia, Kroacia, Çekia, Sllovakia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, shkruan AutoPortali.
Në qarqet Berat, Tiranë dhe Dibër, flakët janë afruar rrezikshëm pranë banesave, duke detyruar evakuimin e disa fshatrave, mes tyre Poliçan dhe Rehovë.
Në disa raste, ndërhyrja ka qenë e mundur vetëm nga ajri, për shkak të terrenit të thyer malor, si në Damjan të Tiranës apo në Xath të Pukës.
Sipas Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, IGJEUM, temperaturat ekstreme deri në 41°C po rrisin rrezikun për përhapje të zjarreve, i cili vlerësohet “i lartë” në gjithë vendin dhe “shumë i lartë” në disa zona të Shkodrës, Lezhës dhe Elbasanit.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes maksimal dhe për të raportuar menjëherë çdo vatër zjarri.
Operacionet për shuarjen e flakëve do të vijojnë me të njëjtat kapacitete edhe gjatë ditës së sotme, duke kombinuar forcat tokësore me ndërhyrjet ajrore. /AutoPortali