Vjeshta i ka dhënë Gjirokastrës ngjyra dhe pamje mbresëlënëse me turistët që ende gjallërojnë rrugët e kalldrëmta në zonën muzeale.
Tashmë Gjirokastra është një markë e njohur në tregun turistik ndërkombëtar, ndërsa po vizitohet nga një numër në rritje vizitorësh.
Kryetari bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi tha sot për ATSH-në se “edhe gjatë muajit shtator dhe deri tani në fillim të tetorit Gjirokastra është vizituar nga 56 mijë turistë, ku numri më i lartë i tyre është nga vende të ndryshme të botës”, përcjell AutoPortali.
“Edhe përgjatë kësaj vere ashtu si në çdo stinë të vitit qyteti i gurtë mirëpriti një numër të lartë turistësh. Nga janari deri tani Gjirokastra është vizituar nga mbi 500 mijë turistë, një numër ky i lartë krahasuar me vitet paraardhëse. Numrin më të madh të turistëve e zënë ata nga Spanja, Italia, Greqia, Gjermania, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, etj.”, tha Golemi.
Kryebashkiaku Golemi vuri në dukje se “këtë verë përgjatë rrugëve të kalldrëmta është folur në të gjitha gjuhët e botës”.
Për turistët edhe muzeumet janë një ndër ndalesat kryesore në Gjirokastër.
“Muzeu i Luftës së Ftohtë, Muzeu i Armëve, Etnografik dhe Muzeu Kadare përgjatë këtij viti janë vizituar nga 54 mijë turistë, numër më i lartë ky krahasuar me vitin e kaluar. Muzeumet shërbejnë si qendra për tërheqjen e vizitorëve por edhe për njohjen e turistëve me vlerat e historisë, traditës, figurat e shquara gjirokastrite në vite, etj. Përkujdesja për muzeumet është një ndër prioritetet e bashkisë së Gjirokastrës si për sa i përket mjediseve me standarde bashkëkohore, por edhe pasurimit me relike, materiale dhe dokumente arkivore çka do ta bënte më interesante vizitën e turistëve”, tha Golemi.
Tashmë e veçanta e turizmit në Gjirokastër është se krahas vlerave arkitektonike dhe ndërtimore të qytetit të gurtë të preferuara janë edhe turet turistike në fshatra dhe zonat rurale.
“Natyrshëm Kalaja e gurtë, Pazari karakteristik, muzetë, godinat dhe banesat tradicionale tërheqin një numër të lartë turistësh. Por një fluks në rritje vizitorësh gjatë kësaj vere është regjistruar edhe në rrethinat, fshatrat dhe krahina të tilla si: Lunxhëria, Cepo, etj.”, theksoi Golemi.
Sipas kryebashkiakut, falë vlerave natyrore, historike, traditave të pasura, numrit të madh të objekteve të trashëgimisë kulturore tashmë pothuajse pjesa më e madhe e fshatrave të bashkisë së Gjirokastrës janë destinacione të preferuara për vizitorët.
“Në këtë fakt kanë ndikuar ndjeshëm edhe investimet dhe punët e kryera nga bashkia për sa i përket infrastrukturës rrugore në fshatra, nxitjes së bujqësisë dhe blegtorisë, pasjen e një mjedisi të pastër, etj.”, nënvizoi Golemi.
Projekte të tilla të gërshetuara edhe me investimet e vetë banorëve po pasurojnë hartën turistike të zonës së Gjirokastrës.
“Ky sektor është kthyer në promotorin e ekonomisë lokale në qytet dhe zonat rurale. Zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm dhe gjithëvjetor po nxit ekonominë lokale, në qytet dhe fshatra. Sektori i turizmit sjell më shumë të ardhura për banorët ndërsa ndikon pozitivisht edhe në çeljen e vendeve të reja të punës”, theksoi Golemi.
Në këtë drejtim, shtoi kryebashkiaku, është rritur interesimi i banorëve dhe sipërmarrësve për të investuar në sektorin e turizmit dhe veçanërisht në strukturat akomoduese si bujtinat dhe hotelet.
Në qytet dhe zonat rurale përgjatë këtij viti janë çelur njësi të reja të akomodimit për turistët me kushte dhe standarde bashkëkohore. Ato ndërthurin arkitekturën karakteristike me vlerat e traditës dhe mikpritjen e banorëve duke shërbyer si mjedise tërheqëse për turistët vendas dhe të huaj.