Rodri e kaloi një vit fantastik me Manchester Cityn, me të cilin e fitoi titullin e kampionit në Premierligë dhe më pas e vazhdoi suksesin edhe me Kombëtaren e Spanjës, me të cilën u shpall kampion i Evropës.
Për këtë, mesfushori spanjoll është njëri prej kandidatëve për ta fituar trofeun e çmueshëm “Topi i Artë”, ku do t’i ketë konkurrentë dy yjet e Real Madridit, favoritin Vinicius Junior dhe Jude Bellingham.
Sidoqoftë, mesfushori defanzis nuk e fsheh ëndrrën për ta fituar këtë trofe, ndonëse e pranon se nuk po mendon shumë për të pasi më shumë është i fokusuar tek angazhimet me “Citizens”.
“Jam vërtet i kënaqur me gjithçka që më ka ndodhur në vitin e fundit. Ta fitoj Evropianin me vendin tim është një ëndërr e realizuar. Është një rezultat i vazhdimësisë së punës, të dëshirës për të mos u dorëzuar kurrë. Po e ndiej se njerëzit po e njohin dhe vlerësojnë punën time”, deklaroi fillimisht Rodi në konferencë për shtyp para ndeshjes së nesërme me Interin në Ligën e Kampionëve.

“Topi i Artë nuk është diçka të cilin po e mendoj. Do të ishte një ëndërr, natyrisht, sepse nuk e kam menduar kurrë se do të mund ta fitoj. E di se nuk luaj në një pozitë të përshtatshme (sulmues) për ta fituar një çmim si ky. Mendoj se duhet të kujtohet se futbolli mund të jetë i mrekullueshëm edhe përtej sulmuesve”, përfundoi Rodri, i cili sot konsiderohet si njëri prej mesfushorëve më të mirë në futbollin evropian.



