Një vit më parë, Izraeli filloi një nga fushatat më vdekjeprurëse dhe më shkatërruese të bombardimeve në historinë moderne në Rripin e Gazës.
Nisi vetëm disa orë pasi Hamasi – grup palestinez që kontrollon Gazën, i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe BE-ja – kreu një sulm të paprecedentë kundër Izraelit më 7 tetor të vitit 2023 – më vdekjeprurësin në historinë e këtij vendi.
Qëllimi i Izraelit për të shkatërruar Hamasin, pasoi me dëme të mëdha për civilët dhe infrastrukturën në Gazë – njërën prej zonave më të populluara në botë.
Hamasi po ashtu mori 251 pengje izraelite. Pothuajse gjysma e tyre janë liruar, disa janë shpëtuar e të tjerë janë liruar nga Hamasi. Pak më shumë se 100 nga pengjet besohet se janë në Gazë, ndërkaq të tjerët besohet se kanë vdekur. Disa u vranë pa dashje gjatë sulmeve ajrore izraelite.
Izraeli tha se 346 ushtarë të tij janë vrarë gjatë ofensivës tokësore në Gazë, të cilën e nisi disa javë pasi nisi sulmet ajrore ndaj enklavës.
Mbi 41.000 palestinezë u vranë në Gazë që nga 7 tetori, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë enklavë, të drejtuar nga Hamasi.



