Ndërsa lufta në Ukrainë po kalon 1000 ditë, Rusia po vjen duke u bërë më e ashpër me sulmet e saj.
Mijëra jetë të humbura e shumë të plagosur kanë mbetur në gjithë këto ditë sulmesh mbi Ukrainën.
Gati tri vjet që kur Rusia e Vladimir Putinit filloi agresionin mbi Ukrainë, konflikti vazhdon të konsumojë sasi të mëdha armatimi dhe të marrë jetë njerëzish.
Dhe sulmet e mëdha me raketa dhe dron vazhdojnë të synojnë infrastrukturën kryesore të energjisë në Ukrainë dhe të marrin jetën e civilëve.
Kur tanket hynë në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, qëllimi i Rusisë ishte të shkatërronte qeverinë aktuale dhe ta kthente Ukrainën në një vend “që fokusohej” kah Moska.
Por krejt kjo, u has në rezistencë. Ukraina mblodhi burra e gra që luftuan e po luftojnë fort ndaj sulmeve të pandalshme ruse.
Dhe duket se presidenti rus nuk po lëshon pe, pavarësisht thirrjeve e bisedave me liderë e njerëz me ndikim në botë.
Qysh kur Rusia nisi sulmet mbi Ukrainë, shteti u përball me sanksione të shumta të cilat vazhdojnë edhe sot.
Në mesin e shumë shteteve që vendosën sanksione ndaj Rusisë është edhe Kosova.
Qeveria e Kosovës ka vendosur sanksione në përputhje me ato te Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Këshillit të Bashkimit Evropian ndaj veprimeve që minojnë dhe kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës.
Në mbledhjen e shkurtit të vitit 2022, Qeveria e Kosovës i ka vendosur sanksione ekonomike dhe financiare Federatës së Rusisë, një ditë pasi kjo e fundit filloi agresionin ndaj Ukrainë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti atëkohë tha se pushtimi rus tashmë me pasoja tragjike përveçse sulm ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës dhe popullit të Ukrainës është edhe sulm ndaj demokracisë dhe lirisë.
Kurti tha se miratimi i sanksioneve është në përputhje me sanksionet e SHBA-së dhe Këshillin e Bashkimit Evropian ndaj veprimeve që minojnë dhe kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës.
“Kjo nuk është hera e parë që Republika e Kosovës, duke qenë e rreshtuar me botën demokratike i vë sanksione Federatës Ruse por është hera e dytë. Në të dyja rastet sanksionet janë vënë për shkak të agresionit dhe atë ndaj Ukrainës, dëshmi që kjo Rusi që po e shohim sot nuk është një Rusi e re, por, edhe paralajmërim se ajo nuk synon të jetë e re. Në fakt ajo dëshiron prapë të jetë e vjetër madje të bëhet edhe më e vjetër se Bashkimi Sovjetik, pra të bëhet Perandori Ruse”, tha Kurti.
Më pas, institucionet e vendit kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët lidhur me sulmet ruse në Ukrainë. Në reagim thuhet se Republika e Kosovës e dënon fuqishëm agresionin ushtarak dhe invadimin e Ukrainës nga Rusia dhe “dënon njohjen ilegale të ‘pavarësisë’ së regjioneve ukrainase të Luhanskut dhe Donetskut nga ana e Federatës Ruse”.
“Strategjia e ndjekur nga Moska për të krijuar përmes agresionit ushtarak entitete fantome brenda territorit të Ukrainës, grumbullimi masiv i forcave ushtarake në kufijtë e Ukrainës dhe sulmi masiv dhe i paprovokuar kundër qyteteve dhe fshatrave të Ukrainës është një ndër goditjet më të rrezikshme që i është bërë arkitekturës së sigurisë ndërkombëtare të ndërtuara pas Luftës së Dytë Botërore”, thuhet në deklaratë.
Në reagim thuhej se agresioni kundër Ukrainës nuk mund të përmbysë triumfin e vlerave të lirisë dhe demokracisë “që shënuan përfundimin e Luftës së Ftohtë dhe shembjen e Bashkimit Sovjetik, që më shumë se çdo gjë tjetër ishte një burg i kombeve dhe shtypës i lirisë njerëzore”.
Megjithatë këtë nuk e bëri Serbia. Ajo është njëra ndër pak vende të botës që nuk ka vendosur asnjë sanksion, e nuk ka dënuar asnjëherë asnjë sulm të Rusisë në Ukrainë.
Madje, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka vazhduar kontakte me homologun e tij rus Vladimir Putin.
Pavarësisht thirrjeve nga BE-ja Serbia nuk po pranon të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe përfaqësuesit e autoriteteve në Beograd vazhdojnë të mbajnë lidhje me Kremlinin.
Para një muaji, Vuçiq njoftoi në profilin e tij në Instagram se nuk kishte biseduar me Putinin për gati dy vjet e gjysmë dhe se më 20 tetor kanë pasur një “bisedë të mirë, të hapur, të gjatë dhe kuptimplotë”.
“Shpreha shpresën, ashtu si dy vjet e gjysmë më parë, se Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Federatës Ruse”, tha Vuçiq.
Ai tha në një video në Instagram se me Putinin bisedoi edhe për çështje dypalëshe, ekonomike dhe politike.
Rusia është mbështetja më e madhe e Serbisë në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës, të cilën Prishtina e shpalli më 2008.
Ndërkohë, biseda mes tyre u zhvillua ndërsa Rusia priste përgjigje zyrtare nga Serbia për ftesën Putinit në shtator që Vuçiç të marrë pjesë në samitin e BRICS në Kazan./GazetaExpress/



