Kosova U19 mposht edhe Ishujt Faroe, por nuk mjafton për kualifikim
K

Kosova U19 mposht edhe Ishujt Faroe, por nuk mjafton për kualifikim

Përfaqësuesja e Kosovës U19 e ka shënuar edhe fitoren e dytë në kuadër të ndeshjeve kualifikuese të Grupit 10 për Kampionatin Evropian 2025.

Dardanët e rinj kanë triumfuar ndaj bashkëmoshatarëve të tyre nga Ishujt Faroe me rezultat të pastër 2-0.

Që nga fillimi i ndeshjes pati dominim nga djelmoshat e Adil Maliqit, derisa goli i parë u shënua në minutën e 31-të.

Gashi asistoi bukur te mesfushori Dior Gërbovci i cili realizoi për të kaluar Dardanët në epërsi 1-0.

Me epërsinë minimale të Kosovës u mbyllën 45 minutat e para të kësaj sfide.

Kosova e nisi mirë edhe pjesën e dytë, kur sulmuesi i Stuttgartit, Eliot Bujupi realizoi për 2-0 në minutën e 52-të.

Deri në fund Kosova i pati edhe disa raste të tjera shënimi, por gola më nuk pati.

Megjithatë, kjo fitore nuk u mjaftoi Dardanëve për kualifikim në Elite Round, pasi Spanja triumfoi ndaj Austrisë me rezultat 1-0 me një gol në minutën e fundit të ndeshjes.

Kësisoj nga Grupi 10 kalojnë tutje Austria dhe Spanja me nga gjashtë pikë sa kishte edhe Kosova, por që dy kombëtaret e kualifikuara kishin golaverazh më të mirë.

TË FUNDIT