Xavi Hernandez është ëndrra e madhe e Inter Miamit të Lionel Messit për të pasuar Tata Martinon, i cili po largohet nga klubi i Floridës për “arsye personale”.
Ky informacion është raportuar nga shtypi amerikan.
Të mërkurën, shtypi katalanas, konkretisht gazeta “Sport”, ka folur për mundësinë, duke siguruar se ish-futbollisti dhe ish-trajneri i Barcelonës ka ndërmend të kthehet në aktivitet vetëm në verë, por në Evropë.
Burimi i njëjtë thekson se Xavi gjithashtu ishte përmendur për postin e trajnerit të përfaqësueses së Katarit, një mundësi që është jashtë planeve të tij.

Skuadra e Lionel Messit, e kualifikuar për në Kupën e Botës të Klubeve pavarësisht se u eliminua në “play-off”-et e MLS, mund të bëhet destinacioni i ri i Xavit.
Përveç rikthimit me emra si Messi, Suárez, Jordi Alba dhe Busquets, me të cilët ka ndarë dhomën e zhveshjes në Barcelona, pjesëmarrja e Inter Miamit në Kupën e Botës të Klubeve të vitit 2025 mund të jetë një faktor që do ta bëjë Xavin të mendojë mundësinë për të kaluar në Major League Soccer (MLS).



